Lajme

Kurti e fton ambasadorin amerikan në takim – Hovenier: Kjo është këshilla jonë për të


Hovenier dhe Kurti

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka treguar se është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi ky e fundit e ka ftuar në takim për të diskutuar rreth opsioneve se si mund të de-eskalohet situata në Veri të Kosovës.

“Pas kërkesës së Kurtit u takuam me të për të folur për situatën në Veri. Folëm për rëndësinë që ne e shohim për ta arritur de-eskalimin e situatës në Veri dhe jemi të shqetësuar për zhvillimet atje”, deklaroi Hovenier.

Ambasadori amerikan tha se kanë kërkuar që të bëhen hapa prapa “që të sigurohet që de-eskalimi është arritur”.

“Ka marrëveshje që de-esklaimi duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”, u përgjigj ai kur u pyet se arritën të merren vesh me Kurtin, apo jo.

“SHBA po kërkon që nuk është e nevojshme për kryetarët e zgjedhur që të shkojnë çdo ditë në këto ndërtesa, dhe sidomos në këtë kohë. Ashtu siç qeveria e gjeti mundësinë që ata ta bëjnë betimin në ndërtesa alternative ashtu mendojmë se duhet të evitohet edhe mënyra si punojnë. Këtë kërkon SHBA. Unë s’mund të them se çfarë do bëjë ai, unë ju them veç çfarë është këshilla jonë”, pohoi ai.

I shprehur me shqetësim për situatën, Hovenier pohoi se “nuk e di çfarë do të ndodhë nesër, por vetëm shpresoj që de-eskalimi të arrihet”.

“Beteja” për komunat në Veri – krejt çfarë ndodhi

Ndërsa Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Në një video që është publikuar në mediat serbe shihen protestuesit teksa përleshen më ushtarët e KFOR-it.

Ndërsa një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it, derisa kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, vazhdon të mbetet para ndërtesës së komunës.

Më herët janë shpërndarë edhe protestuesit serbë që ishin mbledhur që nga orët e para të mëngjesit të së hënës para ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut.

Po ashtu KFOR-i, ka bërë të ditur se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve atje ku serbët kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.

Përmes një komunikate për media KFOR-i, ka kërkuar nga palët që të mos nxisin tensione dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë”.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore