Kurti e cilëson “të montuar” bisedën e Kusari-Lilës me Radojiçiç-in: Mimoza s’është anëtare e LVV-së

Valon Rashiti
04.06.2024 14:42
Loading Icons...

Si “të montuar” e ka cilësuar bisedën e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me terroristin Milan Radojiçiç, kryeministri Albin Kurti edhe pse theksoi para gazetarëve se nuk e ka dëgjuar audio-incizimin ku dëgjohet duke biseduar Kusari-Lila me Radojiçiç-in.

“Ajo është një situatë e montuar dhe Radojiçiç këtë muaj i bënë nëntë muaj që është i lirë në Serbi dhe trysnia do duhej të ishte që të kishte aktakuzë për të në Kosovë dhe të arrestohet. Qytetarët e Kosovës e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radojiçiçin dhe se e kanë shumë të qartë pse Radojiçiç ka ikur nga Kosova”, tha Kurti.

Kur është pyetur për ndonjë masë eventuale ndaj Kusari-Lilës, pas bisedës së kësaj të fundit me një terrorist, Kurti ka potencuar se kryedeputetja e LVV-së nuk është anëtare e partisë që e drejton.

“Po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht prej një bisede që nuk e di si është marrë dhe nga kush është marrë, por edhe njëherë unë jam kryetar i LVV-së dhe Kusari-Lila nuk është anëtare. Edhe po të ishte anëtare për këso gjera ka komisione, LVV-ja nuk e ka kryetarin diktator që të marrë vendime siç do të kishte dëshiruar dikush”, shtoi.

Ndryshe, në një audio-incizim në të ri të publikuar nga mediumi “Nacionale”, të hënën Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me Radojiçiç-in në telefon.

Edhe vitin e kaluar kur doli pjesa e parë e këtyre audio-incizimeve, në mbrojtje Kusari-Lilës i kishte dalë kryeministri Kurti, duke thënë se kryedeputetja e LVV-së “e ka për detyrë që të sigurojë vota në Kuvend”.

“Shefja e grupit parlamentar natyrisht jo vetëm që komunikon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por e ka për detyrë që të sigurohen sa më shumë vota. Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe”, pati theksuar ai para gazetareve duke i arsyetuar bisedat e Kusari-Lilës me Radojiçiçin dhe zyrtarë të tjerë të Listës Serbe.

Madje Kurti i besonte gënjeshtrës së Kusari-Lilës, se biseda e saj ishte zhvilluar në interfon me ish-nënkryetarin e Listës Serbe.

“Gjatë takimit që ajo ka pasur kur anëtarë të Listës Serbe ishin në Kuvend, aty asaj i është lëshuar në interfon që s’mund të thuhet se është takim”, thoshte i bindur Kurti.

Në anën tjetër, Kusari-Lila pati treguar se përkundër që kishte folur me një kriminel, kryeministri nuk ia kishte kërkuar dorëheqjen.

“Unë kam kërkuar vetë t’ia shpjegojë situatën, kryeministri ka dëgjuar dhe m’i ka bërë edhe disa pyetje shtesë edhe nuk e ka kërkuar dorëheqjen time”, kishte potencuar ajo.

Ndërkaq vetëm dy muaj pasi Kusari-Lila e pranoi që ka biseduar me Radojiçiçin, ky i fundit së bashkë me një grup të armatosur më 24 shtator të vitit të kaluar ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunajku.

Publikimi i audio-përgjimeve të reja, nxiti reagime të shumta në vend, derisa ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, ka kërkuar dorëheqjen e Kusari-Lilës.

“Pra, në pak sekonda që dëgjohet telefonata, ajo më shumë ishte raportim për agjendën ditore të Mimozës. Mimoza, dorëhiqu sot dhe rrëfeu për të gjitha detajet me saktësi. Hapja rrugën Prokurorisë të bëjë punën pa presionin e pushtetit”, shkroi ai në Facebook.

Ndryshe, Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Organizata ndërkombëtare policore “INTERPOL”, ka lëshuar një urdhër-arrest për kryekriminelin Milan Radoijçiç dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist në Banjë.

Të fundit

Aktuale