Kurti: “Duhet të sjellim drejtësi për dëshmorin, Astrit Dehari”

SHFLETO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

 

Blerta Ismajli
05.11.2021 14:49
Loading Icons...

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që tash mban edhe postin e kryeministrit, e ka quajtur dëshmor, aktivistin Astrit Deharin, që kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara më 2016.

Kurti ka thënë se Astrit Dehari është forcë për të dhe lëvizjen që përfaqëson.

“Përherë duam që dëshmori të jetë aty, të jetë për të na përshëndetur e për ta përshëndetur. Një dëshirë e papërmbajtur dhe një zjarrmi na mbërthen. Ai ishte njëri prej nesh. Një pjesë e pranisë së Astriti është kjo forcë”.

Kurti duke folur për pesë vjetorin e vdekjes së tij, ka folur në superlativ për të bëmat e tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Me këtë nënë Astrit nuk mund të mos ishte i shkëlqyer. Nënat e dëshmorëve kthehen në legjenda të dhimbjes e forcës. Fjalët e tua të qeta axha Avni të qeta kanë një bartje për kujtimin për Astritin. Astriti ishte ylli juaj tash është i të gjithëve. Kujtimi juaj është plot dashuri. Astriti është historikisht i atdheut”, ka thënë Kurti

Kurti e ka quajtur Deharin qytetarë aktiv, që kërkonte barazi në republikë.

“Arsa do të rritet duke dëgjuar për babë e mrekullueshëm që kishte dhe do të kuptojë figurën e babait. Kudo në kohë historia e aktivizimit përbëhet nga dëshmorë. Jo vetëm që nuk duhet të harrohen, por e vërteta e tyre duhet të shkruhet qartë. Ai ishte i drejtë dhe ne duhet të sjellim drejtësi”, ka thënë ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, e kujtuar Astritin si një djalë të mirë dhe punëtorë.

“Më mungon një mik por edhe më mungon një bashkëpunëtor i afërt, dija dhe qetësia e tij, puna e pakusht dhe dashuria e tij për Kosovën, shkencën dhe aktivizimin politik”.

“Sot më mungon modestia dhe përkushtim i tij nganjëherë i padukshëm, mendimi i tij në organizata, aktivizimi i tij i zellshëm dhe frymëzues. Astritin shumë nga ju e keni njohur vetë dhe fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar se çfarë djali ishte, një njeri i mirë dhe i edukuar”, ka thënë Vitia.

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia

Vitia, aktivistin Dehari e ka kujtuar si një studentë të shkëlqyer të Fakultetit të Mjekësisë.

“Astriti ishte një student i shkëlqyer i mjekësisë, ai vazhdimisht merrte pjesë në mbledhje të komitetit të lëvizjes për shëndetësi ku dëgjonte me vëmendje dhe mësonte dhe u jepte profesionistëve, dallohej serioziteti i tij profesional por ai kishte diçka më shumë, në sytë e tij shkëlqente dëshira për të ndihmuar sa më shumë individë”, tha Vitia gjatë akademisë përkujtimore për Astrit Deharin.

Ndërkaq, Astrit Dehari, më pesë nëntor të vitit 2016 ishte gjetur i vdekur brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimin se ka qenë njëri nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e pesë gushtit të vitit 2016, ku me granatahedhës ishte sulmuar Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa, në pranga kishin përfunduar edhe aktivistet tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti.