Lajme

Kurti do të takohet me Latifin gjatë ditës, nuk e komenton dorëheqjen e tij


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, s’ka komentuar kërkesën e dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Teksa bëri të ditur që do të “takohet me Latifin gjatë ditës së premte” ai vazhdoi duke shtuar se “nuk do të ngelet asnjë pyetje pa përgjigje”.

Kurti për dorëheqjen e Latifit është pyetur pas konferencës për ndarjen e resurseve me dobi të veçanta për komunitetet joshumicë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pas 11 muajve ka dhënë dorëheqje nga kabineti qeveritar.

Rifat Latifi dhe Albin Kurti

Latifi është ministri i dytë i larguar nga kjo pozitë gjatë kësaj qeverisje. Para tij ishte Arben Vitia i cili kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi, është thënë se për këtë vendim ai kishte menduar tash e disa muaj.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, është shkruar në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi.

“Bashkangjitur me këtë letër, gjeni një përmbledhje të shkurtër të të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta 10 muaj të mi si ministër”, ka përfunduar ai.

Institucionet e Kosovës, akoma nuk kanë publikuar një deklaratë zyrtare për largimin e ministrit nga kjo pozitë.

Lidhur me këtë çështje as ministri Latifi, akoma nuk është deklaruar.

Kush do të jetë ministri i ri?

Menjëherë pas dorëheqjes së Latifit, deputeti nga radhët e Listës “Guxo”, Burim Meta, ka deklaruar se kjo detyrë duhet t’i besohet kësaj partie.

Ai ka ftuar Kryeministrin e Kosovës, që të fillojë diskutimet për të caktuar emrin e ministrit të ri.

“E ftoj (Albin) Kurtin që nga ky moment, që të diskutoj me znj. Donika e z. Pecin para se të vendosë për ministrin e ri të Shëndetësisë. Besoj shumë që partia ‘Guxo’ me kapacitetet e saj, do të ndihmojë shumë në këtë sektor”, ka thënë Meta në Kanal 10 të enjtën.

Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkaq, deputeti ka dhënë edhe emrin e Haxhi Avdylit, si kandidat potencial për të udhëhequr me ministrinë e Shëndetësisë.

“Ne të gjithë mund ta përkrahim edhe doktor (Haxhi) Avdylin që të menaxhoj me ministrinë e Shëndetësisë. Ai aktualisht ka pozicionin më të rëndësishëm të Qeverisë Kurti 2”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore