Lajme

Kurti diskuton me përfaqësues të BERZH-it për prioritetet e vitit 2024


Albin Kurti dhe Charlotte Ruhe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi të mërkurën Drejtoreshën e Përgjithshme të Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, Drejtorin e BERZH-it në Kosovë, Sergey Maslichenko, si dhe zëvendësdrejtorin e BERZH-it, Arianit Blakaj, me të cilët diskutoi për projektet prioritare për vitin 2024.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se një nga projektet e këtij viti është ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, Gjilan dhe Mitrovicë, ndërtimi i rrugëve rajonale, projekti i sinjalizimit dhe telekomunikacionit për Linjën 10 hekurudhore, si dhe projekte të tjera që fokusohen në sektorin e energjisë dhe ujërave.

“Në takim u diskutuan tetë projektet aktuale që Qeveria e Kosovës është duke i zbatuar në bashkëpunim me BERZH, siç është projekti për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Ferizajt si dhe projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Drejtoresha e BERZH-it, thuhet më tej në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, ritheksoi vazhdimin e mbështetjes së BERZH-it për jetësimin e projekteve të shumta infrastrukturore, telekomunikimit, energjisë dhe mobilitetit urban, ndërsa kryeministri Kurti falënderoi përfaqësuesit e BERZH për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore