Lajme

Kurti diskuton me disa nga ministrat përgatitjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Veri


Albin Kurti dhe Hajrullah Çeku, Elbert Krasniqi, Nenad Rashiç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka takuar disa nga ministrat e kabinetit të tij, me të cilët ka diskutuar mbi procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në Veri të Kosovës.

Sipas një komunikate për media e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti, nga Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, me Ministri e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi e Ministri për Kulturë, Hajrullah Çeku, ka marrë informata për punët që po i kryejnë dhe aktivitete që po i zhvillojnë anekënd Kosovës, e në veçanti në mjediset e banuara me komunitetin serb.

“Bashkë diskutuan mbi përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, dhe për projektet infrastrukturore që do të mund të planifikoheshin dhe zbatoheshin në komunat me shumicë serbe për Lojërat Mesdhetare 2030”, thuhet në komunikatë.

Kurti, siç njofton komunikata për media, ndër të tjera ka potencuar nevojën e zhvillimit të komunave në dobi të qytetarëve, “ashtu që askush të mos ngelet mbrapa”.

Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkimin e kryetarëve në kate komunat në Veri të Kosovës, pas procesit të suksesshëm të mbledhjes së nënshkrimeve sipas Udhëzimit Administrativ.

Për caktimin e 21 prillit si datë e mbajtjes së votimeve për largimin e kryetarëve të komunave Veriore kanë votuar 8 pro, ndërsa 2 kanë abstenuar.

Rekomandimi për caktimin e 21 prillit u bë nga Sekretariati i KQZ-së, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Nga Sekretariati i KQZ-së, bënë me dije se është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve, çka i hapi rrugë votimit për largimin e krerëve të komunave Veriore.

Më 21 prill votohet për shkarkimin e kryetarëve në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore