Kurti dhe Vuçiç takohen më 14 shtator në Bruksel, njofton Borrell

SHFLETO

Josep Borrell

 

Armat Matoshi
31.08.2023 17:48
Loading Icons...

Më 14 shtator (e enjte) në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), ka njoftuar të enjten Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media në Spanjë.

Shefi i diplomacisë evropiane ndër të tjera ka bërë me dije se së bashku me presidencën spanjolle të BE-së do të mbajë një konferencë të përbashkët në nivel të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perendimor për të analizuar situatën në rajon, në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-së në vitin 2030.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, ndërsa tensionimi i situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe.

Gjithashtu, rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, të cilët ishin liruar pas dy jave nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare, kishte shtuar shtresa të reja tensioni, por me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.

E zyrtarët evropianë janë në pritje që palët e angazhuara në terren t’i përmbushin pa vonesa të mëtejme kërkesat e qarta që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe krijimin e kushteve për rinisjen e dialogut, kanë thënë nga BE-ja.

Liderët e insitucioneve të BE-së gjithashtu po presin që palët të kontribuojnë në krijimin e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që Kosova dhe Serbia kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel (27 shkurt) dhe më pas në mes të muajit mars në Ohër (18 mars).

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përveçse ditëve të fundit është shprehur i vetëdijshëm se kanë humbur shumë kohë pa rezultate të prekshme dhe se duhet një hov i ri për të normalizuar situatën politike në veri, kishte paralajmëruar se do të ketë takim të nivelit të lartë në muajin shtator.

Në kuadër të Forumit Strategjik të Sigurisë që është mbajtur në Bled të Sllovenisë, diplomati sllovak ka takuar kryeministrin e Kosovës, në lidhje me përgatitjet për organizimin e takimit në fjalë, ndërsa të mërkurën e 30 gushtit ka udhëtuar drejt Beogradit për t’u takuar me presidentin e Serbisë.

E për t’i dhënë fund rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok – dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), më 1 korrik, ka marrë vendim që të fillojnë procedurat për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga pozita – Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Erden Atiç – nëpërmjet një Udhëzimi Administrativ që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovë s duhet t’i inkurajojnë palët që të dëshmojnë se janë kombe me kurriz dhe që i kontribuojnë paqes në rajon dhe më gjerë, ndërsa dështimi për të punuar në këtë drejtim dhe për t’iu përgjigjur sfidave të reja në mënyrë konstruktive, do të ketë pasoja serioze për të dyja palët.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, derisa ka folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, ka kërkuar “një riangazhim të qartë nga të dyja palë”, veçanërisht sa i përket paqësimit të situatës në veriun e Kosovës dhe ka kërkuar që palët të sillen me përgjegjësi.

Kosova aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, ndërsa situata nuk do të ndryshojë derisa autoritetet të ndërmarrin të gjithë hapat që janë kërkuar paraprakisht për de-eskalim.

Ndonëse është ende herët të priten “rezultate spektakolare”, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të hyjë në fazën përmbyllëse. Duke qenë se për rezultate është herët të flitet, ekizton bindja e diplomatëve evropianë se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht integrimet euro-atlantike të Kosovës e Serbisë.