Lajme

Kurti: Dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe, neve na ka mbetur një pjesë e vogël


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke bërë homazhe tek Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me ministrat dhe familjarë të dy familjeve, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorëve.

Kurti konsideroi se pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike e kanë kryer dëshmorët.

Me ç’rast tha se për “institucionet ka mbetur më pak punë e cila bëhet duke pasur si udhërrëfyes dëshmorët e martirët”.

“Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike, shoqërore në vendin tonë e kanë kryer dëshmorët e kombit, ndërkaq neve na ka mbetur një pjesë më e vogël por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë e mbarë pikërisht duke pasur si udhërrëfyes dëshmorë dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë por njëkohësisht edhe vullnetit të paepur të popullit tonë për liri”, tha Kurti.

Tutje kryeministri potencoi se këta dëshmorë përveç se i bënë bashkë këto dy familje, i bënë bashkë edhe gjithë popullin.

Duke shtuar se “fal tyre populli i Kosovës e shijon lirinë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke bërë homazhe tek Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

“Sot Iliri dhe dr. Haziri i bënë bashkë familjet e tyre të ngushta, por na bënë bashkë edhe të gjithë neve dhe e bëjnë bashkë porsi një familje tejet të gjerë popullin shqiptar, sepse janë dëshmorët e kombit ata të cilëve asnjëherë nuk mund t’ua lajmë borxhin e ta kryem obligimin përderisa ne jemi gjallë”.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka kujtuar Konushevcin dhe Malën.

Tutje ka thënë se figura Konushevcit është një prej më të rëndësishmëve në themelimin dhe ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot nderuam figurat emblematike të lirisë sonë, Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Mala. Figura e Gjeneral Major Ilir Konushevcit është një prej më të rëndësishmëve në themelimin dhe ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkaq rënia e tij si fundament i shtetit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

“Ai është modeli i një studenti që u kthye në arterie të furnizimit me armatim në luftën për liri dhe shembulli më i mirë se si një djalë i ri në rrethana shumë të vështira u rreshtua drejt në mbrojtje të atdheut”, ka shkruar Haradinaj.

Më 13 maj 1992, Ilir Konushevci si 23 vjeçar, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore