Lajme

“Kurti dëshiron të bëhet Zelensky, kam frikë se do të bëhet Aliyev”, thotë Trajkoviç


Rada Trajkoviç

Këshilltarja politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç-it në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviç, beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse po e projekton veten si një Volodymyr Zelensky i Ballkanit, dalëngadalë po kthehet në rrugën e Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kur në pyetje është Veriu i Kosovës.

Një deklaratë e tillë nga ana e Trajkoviç ka ardhur pasi Prokuroria Speciale e Kosovës, të mërkurën, njoftoi se i ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.

“Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se për çfarë krime lufte akuzohen ata.

Arrestimet e serbëve, sipas Trajkoviç, përveç se janë të koordinuara “i shërbejnë një përshkallëzimi dhe destabilizimi të vetëdijshëm të komunitetit serb në Kosovë”.

“Kurti donte të ishte Zelensky dhe kam frikë se po shkon në rrugën e Aliyevit. Fatkeqësi totale në Nagorno-Karabakh. Një komb që ka përjetuar tashmë një herë gjenocidin, i lënë në mëshirën e një force mizore. Jemi dëshmitarë të spastrimit etnik të drejtpërdrejtë. Kështu ndodh kur institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe negociatorët harrojnë se prioriteti i tyre i parë është jeta e njeriut të thjeshtë”, ka shkruar ajo në rrjetin e saj social i emëruar rishtazi si X.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra për Nagorno-Karabakun, një rajon malor i banuar me shumicë armene, që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit.

Nagorno-Karabaku dhe shtatë rajonet e afërta kanë qenë nën kontrollin e armenëve etnikë që kur nisi lufta në fund të viteve ’80 – kur Bashkimi Sovjetik nisi të kolapsojë – dhe i hapi rrugë “konfliktit të ngrirë” prej tri dekadash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore