Kurti, Davenportit: Pa marrëveshje ndër-shtetërore s’ka zgjedhje të Serbisë në Kosovë

Valon Rashiti
22.11.2023 15:12
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të martën me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, derisa këtij të fundit ia ka bërë të qartë se pa marrëveshje ndërshtetërore nuk mund të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

“U diskutua edhe rreth temave tjera aktuale. Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në një njoftim për media të Qeverisë.

Sipas njoftimit, ata diskutuan për progresin në fushat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në vend.

“Kryeministri theksoi përkushtimin e shtuar të Qeverisë ndaj komuniteteve jo shumicë dhe rritjen e mbështetjes për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), si dhe angazhimin konstant me Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën e Komisionerit për Gjuhë”.

OSBE për Albanian Post: E kemi njoftuar Serbinë rreth kushteve të Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Më 20 nëntor, Zyra për Informim në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka konfirmuar për Albanian Post të hënën se shefi i misionit të OSBE-së në Prishtinë ka pranuar letrën e Qeverisë në lidhje me zgjedhjet serbe në Kosovë, ndërsa për kushtet e propozuara nga kreu i ekzekutivit kosovar është njoftuar edhe Qeveria e Serbisë.

Ndryshe, Kurti nëpërmjet një letre drejtuar shefit Davenportit, ka deklaruar se Serbia duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë të planifikuara për në dhjetor të këtij viti.

E kërkesa për marrëveshje speciale, sipas kryeministrit Kurti, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, sipas të njëjtit model të aplikuar që prej zgjedhjeve të Serbisë në vitit 2017 e tutje, ku votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar para dy jave për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale në disa qytete dhe komuna të Serbisë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 17 dhjetor 2023, derisa ka nisur edhe zyrtarisht fushata parazgjedhore në Serbi.

Të fundit

Aktuale