Lajme

Kurti bisedon në telefon me Sarrazin, theksohet rëndësia e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit


Manuel Sarrazin dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se të mërkurën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me të deleguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Me top-diplomatin gjerman Kurti ka diskutuar për tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit që kanë të bëjnë me lëvizjen vetëm me letërnjoftim, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve si dhe për Marrëveshjen e dakordësuar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kurti në bisedë e sipër me Sarrazin ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Pata një telefonatë shumë të mirë mbrëmë me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për zbatimin e marrëveshjes së lëvizshmërisë të nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit në dialogun e Brukselit”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të vetmit shtete në Ballkanin Perëndimor të cilët kanë ratifikuar tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit. Ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina momentalisht janë dy shtetet penguese që këto tri marrëveshje, që do të lehtësonin udhëtimin, studimin dhe punën për qytetarët të cilat u nënshkruan me 3 nëntor të vitit të kaluar të hyjnë në fuqi.

Megjithatë ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një prononcim ekskluziv për Albanian Post, kishte bërë të ditur javë më parë se Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si të vetmet shtete në Ballkanin Perëndimor të cilët aktualisht kanë ratifikuar tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit do të fitojnë të drejtën që nga 1 qershori të përfitojnë nga benefitet e këtyre tri marrëveshjeve.

Marrëveshjet janë nënshkruar bashkërisht nga të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, por mos ratifikimi i tyre nga Mali i Zi e Bosnja & Hercegovina nuk i pengon dot shtetet tjera që i kanë ratifikuar marrëveshjet të vazhdojnë me fazën implementuese.

Jo funksionaliteti i parlamentit malazez për shkak të situatës politike atje dhe destruktiviteti i presidentit të entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, nuk mund të pengojnë dot, sepse protokollet e marrëveshjeve në fjalë saktësojnë se nëse minimumi tri shtete depozitojnë konfirmimin e ratifikimit, pranimit ose miratimit, marrëveshjet e mobilitetit bëhen të vlefshme për shtetet që kanë bërë depozitimin.

Një gjë e tillë specifikohet edhe në nenin 21 të protokollit, pjesë integrale e secilës marrëveshje, derivat i Procesi të Berlinit, ku shkruhet se “marrëveshjet do të hyjnë në fuqi në ditën e tridhjetë pas depozitimit të njoftimit të tretë (tri shtete) formal të ratifikimit, pranimit ose miratimit për Palët që kanë depozituar njoftimin e tyre formal të ratifikimit, pranimit ose miratimit”.

Pra sipas nenit 21, Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut janë të mjaftueshme për të plotësuar kushtet formale që Marrëveshjet e Mobilitetit të nisin të zbatohen në këto shtete.

Procesi i Berlinit – ç’u bë me marrëveshjet për letërnjoftime, diploma dhe vende pune?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore