Kurti bën homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York: Dëshmi e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve

Kurti ka thënë se vitet kalojnë, por pandëshkueshmëria dhe dhimbja për krimet e 25 vjetëve më parë të Serbisë në Kosovë, ende vazhdon.
SHFLETO

Albin Kurti

 

Dini Fetahu
28.09.2024 21:47
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë varrezave të vëllezërve Bytyqi, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, në New York, ku ka thënë se kjo është dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Këto komente, Kurti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, të shtunën, ku ka theksuar se vitet kalojnë, por pandëshkueshmëria dhe dhimbja për krimet e 25 vjetëve më parë të Serbisë në Kosovë, ende vazhdon.

“Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, të cilët ishin shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, u vranë nga aparati shtetëror gjenocidal serb në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës”, shkroi Kurti.

Trupat e tre vëllezërve u zbuluan dy vjet më vonë, në një varrezë masive në Petrovo Sello, në Serbi, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë e mungesës së plotë të vullnetit dhe gatishmërisë së shtetit të Serbisë për të dhënë përgjegjësi për krimet e bëra dhe për të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre”, potencoi.

“Thirrjet tona bashkë me ato të shtetit amerikan, kanë qenë pareshtur të zëshme në kërkim të vendosjes së drejtësisë dhe zbardhjes së krimit. Në New York, vizituam varrezat e tyre, aty ku kujtimi për ta, është rikujtim për drejtësinë që ende mungon”, theksoi kryeministri ndër të tjera.

Në homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi, Kurti ka qenë i shoqëruar edhe nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, tre vëllezër shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbinë, që po shkonte drejt Kralevës.

Gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët.

Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, ShBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim.

Vëllezërit Bytyqi ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të njësitit të vullnetarëve “Atlantiku”.

Bashkë me kryeministrin dhe zëvendëskryeministren, në homazhe ishin edhe ambasadori Blerim Reka dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.