Lajme

Kurti, BE-së: Presim të pranohemi si vend kandidat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ftuar në Këshillin Atlantik për të diskutuar rreth prioriteteve të politikave vendore, politikës së jashtme dhe agjendës së tij, drejt përmbushjes së tyre, ka thënë se kërkon nga Bashkimi Evropian ta pranojë statusin e Kosovës si vend kandidat, derisa shtoi se pret liberalizim të vizave për Kosovën.

“Një proces i zgjerimit që ngadalësohet do të jetë gjithmonë tokë pjellore për aktorët keqdashës që kërcënojnë sigurinë e Evropës. Ne kemi aplikuar zyrtarisht në Këshillin e Evropës, po ecim tutje me partneritet e paqes të NATO-s dhe presim një vendim për liberalizim të vizave”, tha Kurti.

Ai ka theksuar se Kosova kontribuon në paqe dhe siguri duke shërbyer krahë për krahë aleatit – SHBA-së.

“Vitin e kaluar, kemi pranuar gati 1500 persona nga Afganistani.

“Kemi dëgjuar referimet e Putinit si precedent për të ndërhyrë në një vend tjetër, kjo është gënjeshtër, krahasimi me Kosovën është tepër i largët. NATO ka ndërhyrë në Kosovë për të ndalë gjenocidin që po kryej nga regjimi i Millosheviqit.

Kreu i ekzekutivit ka shtuar se “ky gjenocid është i vërtetuar nga shumë dëshmitarë nga gjithë e bota, “si gjenocidi që po kryhet nga Rusia në Ukrainë”.

Për Serbinë, Kurti ka thënë se s’është aspak demokraci, por shtet njëpartiak me Vuçiç-in në krye.

“Serbia refuzon të sanksionoi agresionin rus, mitingjet pro Rusisë mbahen çdo ditë në Serbi”.

Sipas Kurtit, agresioni rus e ka ndarë Ballkanin nga ata që kanë vendosur sanksione dhe atyre që pretendojnë që të jenë neutral, “nuk mund të jesh neutral mes zjarrit dhe zjarrfikësit”.

“Po shpresoj që Uashingtoni dhe Brukseli do të ia bëjnë të qartë Serbisë që nuk mund të ulesh në 3-4 ulëse”, shtoi ai.

“Në anën tjetër, Putini dëshiron që ta shoh Kosovën të dështojë, sepse ai mendon që Iraku dhe Afganistani kanë qenë shembuj të dështimit të perëndimit”.

Ai ka shtuar se duhet ta mbrojmë Kosovën pasi në këtë mënyrë e mbrojmë edhe NATO-n.

“Kosova dhe NATO janë pjesë e njëra tjetrës, pasi mbron atë ndërhyrje që e ka ndalë gjenocidin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore