Lajme

Kurti arsyetohet për rritjen e çmimeve: Jemi të varur nga jashtë, Kosova importon shumë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Besoj që në njërën anë ka të bëjë me energjinë, në anën tjetër ka të bëjë me faktin që Kosova si një vend i cili importon shumë, është tepër i brishtë karshi fluturimeve në tregjet e jashtme”.

Kështu e ka arsyetuar rritjen e çmimit të bukës dhe produkteve tjera ushqimore kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Pra nëse ne do ta kishim deficitin ma të ulët tregtar se do të kishim edhe suficitm për shembull, më shumë eksport se import, që jemi shumë larg asaj. Atëherë do të kishim qëndrueshmëri më të madhe të brendshme karshi fluturimeve në tregjet e ndryshme”, tha Kurti.

Por, Kurti ndryshe kishte thënë në vitin 2014, atëbotë si lider i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai kishte theksuar se me ardhjen e partisë së tij në qeverisje, çmimet e produkteve elementare ushqimore si buka, sheqeri, qumështi dhe vaji do të ulen konsiderueshëm, ndërsa luksi do të shtrenjtohej.

“TVSH bëhet zero për gjërat elementare ushqimore. Buka me Lëvizjen Vetëvendosje nga 36 cent, që është mesatarja për çmimet e muajit shkurt për vitin 2014, bëhet 31 cent. Sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent. Qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet në 78 cent. Vaji nga 1 euro e 23 cent, bëhet në 1 euro 6 cent”, deklaronte Kurti.

Rritja e çmimit të bukës në 0.50 cent, nga kjo e hënë ka filluar të aplikohet në qytetin e Pejës, por sipas furrtarëve ky çmim do të jetë i njëjtë për të gjitha furrat anë e mbanë Kosovës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritje kanë pësuar edhe produktet e tjera ushqimore bazë, si perimet dhe produktet e qumështit, mishit, perimeve dhe lëndëve djegëse.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore