Kurti, ambasadorit të Çekisë: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mbetet prioritet

SHFLETO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i ri i Republikës i Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek.

 

Altina Marmullaku
17.11.2023 15:47
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të premten është takuar me ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek, me të cilin ka diskutuar për objektivat kryesore të Kosovës.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, është thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është prioritet.

“Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës në objektivat strategjikë të vendit siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit.

Ndërsa, është thënë se vendet e rajonit kanë bërë përparim në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

“Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht dorëzuam dhjetorin e kaluar në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE”.

Sipas ambasadorit, Çekia është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe kjo është politikë konstante e vendit.

“Duke ritheksuar përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Mazanek për bisedën dhe angazhimin e tij”.

Më 7 nëntor edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kishte kërkuar nga Mazanek përkrahje për Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike.