Lajme

Kur Putin ‘spiunonte’ dy artistët protestues në vitin 1976


Agjencia investigative ruse “Meduza” ka publikuar informacione të reja në lidhje me jetën e hershme profesionale të presidentit Vladimir Putin gjatë kohës kur punonte si oficer i KGB-së.

Jemi në shtatorin e vitit 1976, Putin, asokohe një toger 23-vjeçar në KGB, mori pjesë në hetimin e një prej rasteve të para të protestës ‘artistike’ në BRSS.

Çështja kishte të bënte me një mbishkrim ku shkruhej “Ju mund të kryqëzoni lirinë, por shpirti i njeriut nuk njeh pranga!”.

Kjo e fundit, u shfaq në kalanë e Pjetrit dhe Palit në Shën Petersburg.

Hetuesit kontrolluan shtëpinë e artistit, Oleg Volkov, dhe raporti i tyre përmend emrin e Putin-it.

Sot dokumenti gjendet në arkivin e Muzeut të Historisë Politike.

Historiani i Shën Petersburgut, Konstantin Sholmov gjeti të dhënat dhe postoi një foto të raportit në mediat sociale më 21 nëntor, por vetëm më 27 nëntor, kur edhe politikani vendas Boris Vishnevsky shkroi për të, zbulimi i Sholmov filloi të merrte vëmendje të gjerë.

Vishnevsky vuri në dukje se tani ka prova përfundimtare se Vladimir Putin mori pjesë në këtë hetim.

Ndërtimi i ngjarjes

Parulla u shfaq në një mur të kalasë së Pjetrit dhe Palit, përballë lumit Neva, në mëngjesin e hershëm të 3 gushtit 1976.

Ishte ditë e martë dhe artistët sovjetikë July Rybakov dhe Oleg Volkov, të cilët kishin disa muaj që po përpiqeshin të organizonin një ekspozitë rrugore të punës së tyre në kala, realizuan mbishkrimin.

U deshën 15 minuta që artistët të shkruanin sloganin duke përdorur bojë të bardhë me bazë uji dhe rula boje.

Mbishkrimi ishte 42 metra i gjatë dhe secila shkronjë ishte 120 centimetra e gjatë.

Rybakov më vonë kujtoi se ai dhe Volkov shkuan në Urën e Pallatit mbi lumin Neva, pasi mbaruan për të pasur një pamje më të mirë të veprës së tyre.

Rybakov tha se oficerët e KGB-së që u dërguan për të pikturuar mbi mbishkrimin duhej t’i afroheshin murit të fortesës me gomone.

“Atë mëngjes, Neva u ngrit aq lart sa ishte e pamundur të arrije te mbishkrimi në tokë të thatë. Agjentët duhej të afroheshin me gomone, të futeshin në ujë me çizme gome dhe të bënin diçka”.

Ai thotë se oficerët e KGB-së e mbuluan mbishkrimin me kapakë arkëmorti të marra nga një punishte ekspozimi në kështjellë, e cila përqendroi edhe më shumë vëmendjen te slogani.

Gazetari austriak Herwig Höller shkroi për botimin rus të artit dhe kulturës “Colta” se vepra e Rybakov dhe Volkov ndryshonte nga mbishkrimet e tjera sovjetike “në madhësinë, poezinë dhe vendosjen e saj të theksuar në kontekstin letrar-historik”.

Höller tha se “zgjedhja e vendndodhjes – një ish-burg – dhe fjalët “liri” dhe “pranga”, bënë të mundur interpretimin e mbishkrimit si një aludim për vargun e Pushkin-it, “Në thellësitë e minierave siberiane / nënshtroni shpirtin tuaj krenar dhe të durueshëm”.

Sipas raportit të gjetur në Muzeun e Historisë Politike, Vladimir Putin dhe oficerë të tjerë të KGB-së kontrolluan shtëpinë e Oleg Volkov, një muaj pasi artistët pikturuan mbishkrimin e tyre, më 7 shtator 1976.

Raporti për bastisjen u shkrua disa ditë më vonë, më 13 shtator, kur Rybakov dhe Volkov u arrestuan.

Ata u akuzuan për huliganizëm keqdashës dhe dëmtim të pronës shtetërore dhe monumenteve historike e arkitekturore.

Rybakov u dënua me gjashtë vjet burg, ndërsa Volkov mori shtatë vjet dënim.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore