Gatimi

Kur McDonald’s rrëzoi murin e komunizmit në Rusi


Dita e hapjes së McDonald në Moskë, 31 janar 1990

31 janar 1990.

Siluetat e dy harqeve të florinjta, binin në sy për herë të parë në horizontin panoramik të sheshit Pushkin në Moskë.

38 mijë rusë, të sapo dalë nga regjimi sovietik, u rreshtuan për orë të tëra, në oborrin e një vendi, të cilin e kishin dëgjuar thjesht si një mit rival amerikan.

“Kam pritur kaq shumë kohë për këtë çast”, do të thoshte për mediat një ish-punonjëse. “Mu duk sikur po haja vetë Amerikën”, thoshte një qytetare, e cila përkujton se edhe një muaj pas hapjes, radhët e pritjes vijonin të ishin me orë të gjata.

McDonald’s, ishte zhvillimi – deri diku kulinar – i kohës për rusët.

Një rekord, i cili ende nuk është thyer sot, ishte ai i servirjes së 38 mijë personave në ditën e hapjes.

Dëshira ruse për stilin perëndimor dhe reklamimi perfekt i kompanisë ikonë amerikane, e bënë ngjarjen të lakmuar nga të gjithë në ish-kulturën sovietike.

Vetë Pushkini, nuk do e kishte imagjinuar kurrë, se ajo kulturë do të mund të përqafohej nga bashkëkombësit e tij. Po ata bashkëkombës, të cilët konsumonin supën e njohur me lakër (Borscht), apo troftën e lumenjve e liqeneve të mëdha ruse.

Barriera e rënë

“Ky nuk është ushqim. Nuk e di si e konsumojnë në Amerikë”, do të fliste asokohe për kamerat një adoleshent, i cili i kishte buzët e përlyera në salcat e një hamburgeri klasik McDonald’s.

“Nuk e kuptoj pse kamarieret buzëqeshin gjatë gjithë kohës. Më duket sikur po na tallin”, do të pikaste një tjetër.

Një barrierë midis dy vendeve u thye keqazi me penetrimin e “Big Mac”-ut në Moskë e më pas gjithë Rusinë. Një kafshatë, e cila shënjoi jo pak.

Një ngjarje, edhe e papërfillur gjerësisht në sytë e njerëzve. Por, një ngjarje, e cila ishte një fitore e vogël e SHBA-ve ndaj Rusisë të sapo ristrukturuar.

Asnjë gatim rus, nuk kishte arritur të hynte në kulinarinë amerikane, ashtu si McDonald’s arriti të fuste ushqimin e shpejtë në Rusi. Ushqim i shpejtë, i cili për kohën, ishte radikalisht i pakonceptueshëm për mënyrën e jetesës së rusëve dhe lindorëve në përgjithësi.

Një qëndrim i mirëfilltë politik, kur në mes u futën interpretimet dhe paralelizimet midis amerikanëve dhe ushqimit.

“Përse na thonë se amerikanët janë të këqinj? Ky ushqim është i mirë dhe unë e pëlqej!”, do të thoshte një i ri asokohe. Një tjetër, do ta ikonizonte Mac-un, duke thënë se “ai po e bën botën të zgjerohet (ideologjikisht).

Sot, 31 vjet më pas, McDonalds është “malli i huaj” më jetëgjatë në Rusi. Mijëra rusë punuan aty gjatë këtyre viteve. Qindra mijëra – në mos miliona – konsumuan ushqimin e Mac-ut.

Një zhvillim, i cili rrëzoi një herë e mirë disa barriera të panegociueshme më parë nga të dyja palët.

Një ngjarje, e cila mbeti në histori si dita, kur Mac-u u hap në Moskë dhe theu çdo pritshmëri të mundshme!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore