Shqipëria

Kur “Lahuta” ishte “himni” i shqiptarëve të Kosovës


Periudha midis viteve 1878 dhe 1912 shënonte një fazë të zgjeruar mobilizimi të asaj se çfarë përfaqësonte “një komb”, asokohe shqiptar.

Tekstet e fundit të studimit dhe historisë shqiptare që trajtojnë këtë periudhë fokusohen shumë në kahun e diskurseve nacionaliste.

Pas Kongresit të Berlinit, intelektualët dhe drejtuesit politikë shqiptarë vazhduan me ngritjen e këtij shpirti ose fryme të “kombit”, edhe pse me mjete të kufizuara.

Në atë periudhë “letërsia e jashtme” – që vinte nga jashtë vendit – ishte më me ndikim dhe merrte një qasje kryesisht patriotike edhe për këtë fakt.

Të gjithë skenën e rrëmbeu Fishta me Lahutën e tij “të Malësisë”.

Një sprovë poetike prej më shumë se 15 mijë rreshtash, e cila e renditi autorin mes epikëve të eposit.

Nën ndikimin e dukshëm të Iliadës apo Odisesë së Homerit, Eneidës së Virgjilit apo Metamorfozës së Ovidit, Fishta ngriti një gur themeltar të kohës përbri të nesërmes dhe fatit të pacaktuar të shqiptarëve – drejt civilizimit apo vetë-shkatërrimit.

Eposi i fundit “epik”

Eposi i Fishtës pasqyron historinë e Shqipërisë veriore nga viti 1862 deri më 1913-ën.

“Lahuta” u bazua gjerësisht në traditën e vargjeve të gojëdhënave nga “Këngët e Kreshnikëve”, të cilat ngjajnë aq sa dallojnë me këngët dhe tregimet shekullore të kombeve të tjera ballkanike.

Fishta qëndroi ballazi lexuesit shqiptar deri në vitin 1945, kohë kur komunistët erdhën në pushtet në Shqipëri.

Natyrshëm në atë kohë, Shqipëria u shpërfaq si një mjedis papritmas antifetar – raporti vertikal i indoktrinimit – dhe klerikët si Fishta ishin persona “të papëlqyeshëm”.

Por jo vetëm për shkak të fesë, pasi gjërat ishin shumë më komplekse.

Në korrik të vitit ’45, qeveritë komuniste të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë nënshkruanin një “Traktat të Miqësisë” dhe një sërë marrëveshjesh të tjera që i dhanë Jugosllavisë një “kontroll efektiv mbi të gjitha çështjet shqiptare”, duke përfshirë edhe fushën e kulturës.

Veprat letrare të Fishtës ishin të ndaluara në Shqipëri, sepse komunistët i konsideronin ato si antisllave dhe si të tilla mund të dëmtonin miqësinë e re me Jugosllavinë.

Frika nga popullariteti i Fishtës u rrit deri në atë pikë sa komunistët i nxorrën eshtrat fshehurazi nga varri i tij – Fishta prehej në kishën françeskane në Gjuhadol – dhe i hodhën në lumin Drin.

Kënga që mban gjallë “shpirtin”

Në Enciklopedinë e Madhe Sovjetike të vitit 1950, eposi i “Lahutës” përshkruhej si “shoviniste dhe një poemë antisllave”, ndërsa Fishta u portretizua si “një spiun i cili lartësoi armiqësinë e shqiptarëve ndaj popujve sllavë, duke bërë thirrje për një luftë të hapur kundër sllavëve”.

Pas Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, “Lahuta” ishte një këngë e cila u këndua gjatë tubimeve private dhe kjo praktikë nuk mund të kontrollohej nga autoritetet serbe apo jugosllave.

Gradualisht, “Lahuta” mori formën e një himni kombëtar për shqiptarët në Kosovë. Ndërmjet viteve 1913 dhe 1945, në mesin e shqiptarëve në Kosovë, “Lahuta” në këtë praktikë “private” vazhdoi të shërbente si mjet për të kultivuar “ndjenjat patriotike shqiptare”.

Pas vitit 1945, shqiptarët në Jugosllavi, sipas parimit të “Vëllazërisë dhe Unitetit”, u lejuan të arsimoheshin në gjuhën shqipe.

Paradoksalisht, ndërkohë që veprat e Fishtës ishin të ndaluara në Shqipërinë komuniste, ky nuk ishte rasti në ish-Jugosllavinë e Titos.

Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe gjetkë vazhduan të kishin akses në veprat e Fishtës.

Identitet sakaq vlerë

Në Shqipëri, Fishta rifitoi popullaritetin e tij vetëm pas rënies së komunizmit, dhe veçanërisht në pjesën veriore.

“Lahuta e Malësisë”, në mënyra të ngjashme ishte një brokalietai – britma në gjuhën e lashtë ilire që thekson klithmën e mendjes në raport me trupin – për mbrojtjen e katër vilajeteve nga fqinjët Serbia, Greqia dhe Mali i Zi.

Ky epos monumental u konceptua dhe u trajtua me të drejtë si një përfaqësim i denjë i kombit shqiptar dhe identitetit të tij.

Lahuta është konsideruar që në Bejten e saj të parë, si palca kurrizore e këtij identiteti gjatë periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë.

E nëse identiteti është vlera e një kombi nuk mund të themi të njëjtën gjë për qytetërimin.

Në 150-vjetorin e lindjes së Fishtës, ende nuk e dimë se për kë kumbon Lahuta njësoj si Këmbana e Hemingway-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore