Stil

‘Kur gratë bëhen bashkë, gjërat bëhen të mundura’


Është parë gjithmonë se si gratë mbështesin njëra-tjetrën në shumë momente dhe kauza të ndërmarra nga vetë ato.

Së fundmi nisma nga Star People, “Kur gratë bëhën bashkë, gjërat bëhen të mundura”, është një nismë fisnore ,me fokus bamirësinë.

E organizuar në ambientet e Kalasë së Tiranës, STAR ka realizuar një koleksion veshjesh, që si koncept dhe ide janë të tyret, por të qepura dhe dizenjuara nga gra rrobaqepëse, të cilat e ushtrojnë rrobaqepësinë si zanat të lirë në shtëpi.

Të ardhurat shtese qe ato fitojnë nëpërmjet kësaj pune ndihmojnë në fuqizimin e tyre ekonomik.

Paratë që do të grumbullohen nga shitja e koleksionit, do të shkojnë në mbështetje të grave dhe vajzave të reja, që duan të fitojnë një zanat, kryesisht në rrobaqepësi , por jo vetëm.

Në një prononcim për Albanian Post, iniciuesja e kësaj nisme, Najada Taçi, u shpreh se “kjo është një nismë në kuadër të projekteve të vazhdueshme që ne si grup kemi mbështetur kryesisht në fuqizimin dhe problematikat që kanë lidhje me gratë”.

“Në disa raste nuk është mosha ajo që bën të mundur që targete të ndryshme të bëhen bashkë për të shpalosur idetë dhe për t’i shkëmbyer ato”.

Siç deklaron dhe vetë Taçi, “me këtë lloj forme krijohet një zinxhir i cili mbështet dhe lidh breza të ndryshëm grash, që nuk e njohin njëra-tjetrën, por i bashkon i njëjti pasion dhe punë”.

Ndërkohë, Mirela Zani, e cila u njoh me nismën përmes Albanian Post”, e cilësoi si “nismën më të bukur” për vajzat që meren me këtë “zanat”.

“Unë do të doja të isha pjesë e kësaj për faktin se dua të tregoj se edhe vajzat, gratë që punojnë  vetë vullnetarisht në shtëpitë e tyre në profesionin që ato e kanë pasion, duan të tregojnë se janë të afta edhe më shumë se ajo që mund të ketë një atelie për koleksionet e tyre”.

Gjithashtu Zani, theksoi se kjo tregon forcën mbështetëse që “kemi me njëra tjetrën”.

Nga ana tjetër, Esmerina Durollari, e cila është pjesëmarrëse, tregon emocionet që ka përjetuar.

“Kjo solli një ndryshim në jetën time. Jo në lidhje me zanatin në vetvete, por me idenë e shndërrimit të tij në një tjetër karakter, pasi u bë pjesë e një objektivi më të madh”.

Kjo sepse, sipas Esmerinës, ato veshje marrin një tjetër vlerë, atë të përkushtimit që shpërblehet.

“Ky shpërblim ka qenë dyfish për mua, pasi ishte hera e parë që përfshihesha në një nismë të tillë.

E bukura e së gjithës, ishte fakti që kisha mundësinë të flisja me mikeshat e mija për punën që më ishte ngarkuar të bëja. Kisha mundësinë të tregoja diçka ndryshe nga monotonia e përditshmërisë”, shprehet ajo.

Angazhimi nxit ndjenjën e të punuarit të gjërave me pasion dhe përkushtim. Këtë e pohon vetë Durollari.

“Zgjohesha me një motiv të fortë për të dhënë më të mirën time që veshjet të dilnin të përsosura. Pikërisht kjo, më bëri të kuptoj se realizimi i tyre ka shumë më tepër vlerë”.

Të bërit gjërat me zemër dhe bashkë është mënyra e duhur për të realizuar.

Siç mund të thoshte, filozofi Francis Bacon, “më mirë është të punosh me njerëz që dëshirojnë diçka, se sa me ata që kanë arritur atë që kanë dashur”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore