Sport

Kumbullën e kërkon trajneri që e bëri të famshëm


Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, u bë i famshëm sa ishte pjesë e klubit të Veronës, ku trajner në atë kohë ishte kroati Ivan Juric.

Juric i dha besimin e plotë Kumbullës, i cili më pas shkëlqeu me paraqitjet e tij.

Falë paraqitjeve të mira, Kumbulla më pas u transferua te Roma në verën e vitit 2020 për shumën e 26.5 milionë eurove.

Megjithatë, te Roma jo gjithë herë ishte Kumbulla në formacionin standard. Duke parë këtë situatë, tani Juric kërkon që ta ketë mbrojtësin kuqezi sërish nën urdhërat e tij.

Sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”, Juric i cili tani drejton Torinon, ka shprehur interesim që ta transferojë mbrojtësin 22 vjeçar.

Problem është fakti që Roma kërkon 20 deri në 25 milionë euro për ta lënë të lirë, shumë që Torino e ka të pamundur ta paguajë.

Gjithsesi, drejtuesit e klubit të Serie A po tentojnë ta sigurojnë në huazim lojtarin shqiptar.

Juric e njeh mirë Kumbullën dhe kjo nuk është hera e parë që kërkon ta marrë te Torino.

Në fund vendos Jose Mourinho për të ardhmen e qendërmbrojtësit të Shqipërisë, i cili shpreson të përfitojë sa më shumë minuta në sezonin e ri me verdhekuqtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore