Shqipëria

Kukësi dhe gjeneza e tij futbollistike me Internatin e Krumës nga Kosova


Një grup shkollarësh nga Kosova me rezidencë në Krumë, patën shfaqur një dëshirë për të krijuar klubin e tyre modest futbollistik. Duke qenë se qëndronin në konvikt, vendosën ta quanin “Internati i Krumës”.

Në një fotografi të rrallë të vitit 1930, duket skuadra e parë e futbollit të Kukësit. Në njëmbëdhjetëshen kuksiane, gjashtë prej lojtarëve bërthamë, janë pikërisht studentë nga Internati.

Pikërisht këtu, fillon historia e futbollit kuksian!

Mehdi Daci – më vonë oficer me akademinë e Romës dhe mësues në Kukës e Dibër, ishte kapiteni i ekipit.

Ndër emrat e tjerë, është ai i Fadil Hoxhës. Më vonë, do të bëhej kryetar i Kosovës dhe një vit kryetar i Jugosllavisë. Xhavit Nimani, do të bëhej kryetar i Qeverisë së Kosovës. Xheladin Hena, dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sali Morina, ish-drejtor i Internatit të Krumës.

Pra, emra të spikatur të historisë – kush më shumë e kush më pak – datojnë në zanafillën e ekipit të futbollit të Kukësit.

Ndeshja e Kosovës së Shqipërisë

Në vitin 1936, nën firmën e gazetës “Sporti Shqiptar”, do të datonte edhe një ndër reportazhet e parë të modelit të gazetarisë sportive të kohës në Shqipëri. Në të, paraqitet një ndeshje e kohës. Ajo. zhvillohej ndërmjet Kukësit dhe një ekipi më vete tashmë, të krijuar nga Internati i Krumës.

Ky shkrim futbollistik, ka një qasje krejt tjetër nga e sotmja. Është sa njerëzor po aq dhe sportiv me të gjithë kronikën emocionuese të një ndeshjeje antike “kuksiane” të 85 vjetëve më parë.

Artikull i gazetës “Sporti Shqiptar”, i vitit 1936, ku përshkruhet ndeshja midis Kukësit dhe Internatit të Krumës

Lojtarët e skuadrës së Kukësit që do të marrë emrin “Kosova”, të duket se pothuajse gjysma janë nga Shkodra. Ndërkaq, tek emrat e 11-shit të Internatit të Krumës, gjejmë edhe Ismet Shaqirin e Xhevdet Hamzën. Pas luftës, ata do të bëheshin drejtues dhe protagonistë të Kosovës, nën Jugosllavi.

Ja si e përshkruan këtë mjedis të rrallë futbolli, në librin e tij “Më kujtohet” (1977), pjesëmarrësi i kësaj ndeshjeje, mësuesi i ri Ismet Shaqiri. Njeriu i cili më 1953 do të bëhet deri Kryetar (President) i Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës:

“…Unë mësoja nxënësit e klasës së dytë dhe të tretë. Isha më i riu ndër arsimtarët dhe mora përsipër lëndën e fizkulturës për të gjitha klasat. Kruma ishte fshat i vogël. Nuk kishte se ku ta kaloja kohën, prandaj gati gjithë ditën e lume rrija dhe luaja me nxënësit. Organizuam skuadrën e futbollit, shkuam dhe bëmë gara me atë të Kukësit, fituam. Gëzim i madh për të gjithë. Organizuam edhe manifestimin fizkultural në mbarim të vitit shkollor. Patëm sukses. Shumë erdhën për të parë dhe mbetën të kënaqur. Atë vit shkollor e mbaruan shkollën fillore Xhevdet Hamza, Ymer Pula, Qejmal Bakia, Hysen Mërseli, Osman Arifi, Ismet Mula, Vehbi Lama, Mazllum Kërpuska, Beqir Ndou e të tjerë. Mua më transferuan në Shkodër…”.

Dy vjet më vonë  do të mbërrijmë te ajo çka fikson fotoja e Shkollës së Parrucës ku midis mësuesve të shquar shkodranë është edhe Ismet Shaqiri. Ndërkaq Kukësi – Kruma, ku janë bashkëvendësit e tij nga Kosova, në një farë mënyre, edhe pse jo drejtpërdrejt, duken si bashkëthemelues të skuadrës së Kukësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore