Kosova

Kujtim Shala: Qeveria e Kurtit më e dobëta ndonjëherë, vetë Kurti njeri që s’kupton


Kujtim Shala

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, në një paraqitje televizive në TV Dukagjini, tha se Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit, është qeveria më e dobët që ka pasur vendi ndër vite.

Ai tha sa kjo dobësi tregohet pjesërisht nga paqartësia dhe mungesa e ideve politike për zgjidhjen e situatave konkrete dhe pjesërisht nga historiku i themelimit dhe organizimit të Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt politik.

“Nuk besoj që ka qëllime të këqija, por nuk është e vetëdijshme dhe e dyta që është themelore ka të bëjë me historinë politike të kësaj organizate. Kemi të bëjmë me një shumicë të cilën e drejtojnë kundërshtarët e këtij shteti dhe nuk arrijnë ta kuptojnë as organizimin bazik të Kosovës dhe as historinë e saj politike”.

Sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës, mbi këtë keqkuptim kjo kastë e politikanëve e ka rrënuar më pas edhe partneritetin me aleatët perëndimorë të Kosovës.

Ndërkaq, duke komentur figurën e Kurtit dhe narrativën e krijuar në opinion se “s’ka kush del përballë tij” në një debat, ai vlerësoi se kreu i ekzekutivit është person egocentrik dhe si i tillë, “s’dëgjon dhe s’kupton” të tjerët përreth tij.

Prandaj, siç vuri në pah ai, edhe nëse Kurti e fiton një debat teorik, prapë situata aktuale socio-politike në Kosovë do të mbetej e njëjtë, me norma të larta të inflacionit, të njëjtat çmime, të njëjtën pasiguri dhe të njëjtën mungesë të investimeve.

“Por, edhe në këtë kuptim, pra në kuptim retorik unë nuk mendoj se kryeministri i Kosovës është i zoti të fitojë ndonjë debat, sepse për nga natyra ai është autologjik. Unë personalisht nuk kam ça flas me të, sepse unë kam mendimin që ai nuk kupton. Po edhe kur flas ai nuk flet”, theksoi Shala.

Gjithashtu, profesori i letërsisë shtoi se Kurti përpiqet që në përballje direkte të shmangë LDK-në.

“Se pse? Duhet ta pyesni atë”, përfundoi Shala.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore