Jetesë & Stil

“Kujta&Meri”, stilistët e fustanit të Beyonce-s, rrëfejnë për shkëlqimin e tyre


Ishte një ditë e zakonshme pune. Mes copave dhe ngjyrave të magjishme, u ndalën të lexonin e-mail-et. Aty do të spikaste njëri. Ai që do t’u ndryshonte ditën, por do të çonte dhe në realizimin e një ëndrre.

“Kemi 30 vite që operojmë në tregun shqiptar. Ky ishte ndër momentet më kulminante në karrierën time. Nuk e besonim dot, që ëndrra jonë ishte realizuar”, shprehen stilistët e njohur për Albanian Post (AP) kur shpjegojnë për ndjesitë rreth atij momenti.

Kujta tregon se ishte vetë Beyonce, që i kontaktoi ndërmjet e-mail-it. Ajo u shkruante dy stilistëve nëse mund të viheshin në dispozicion të saj, për t’i qepur një fustan të veçantë.

 

Të ngazëllyer dhe të emocionuar, siç pohojnë vetë dizenjuesit për AP, pranuan dhe stiluan një fustan që spikati mjaft mes mijëra të tjerëve dhe veshjeve të jashtëzakonshme, brand-eve të famshme prej vitesh.

Stilistët tanë ia dolën të binin në sy. Diva Beyonce, shkëlqente si rrallëherë, veshur me fustanin e “Kujta&Meri”.

Ylli i muzikës pop mbante veshur një fustan, të krijuar nga copë velvet pa mëngë, i çarë mjaftueshëm sa për të lejuar sensualitetin e Beyonce-s.

Ai ishte i dekoruar me kristale në pjesën e bustit dhe në bel. Pamja e divës kompletohej me një palë doreza prej të njëjtës ngjyrë e material.

“Kujta&Meri” ia kanë dalë mbanë pas një pune dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm.

Dy stilistët shqiptarë, me një eksperiencë 30-vjeçare në fushën e modës, i kaluan kufijtë me sukses, duke arritur të preknin shkëlqimin e industrisë së modës ndërkombëtare.

Të gjithë tregojnë një interes tepër të veçantë kur bëhet fjalë për yjet e botës dhe veshjet e tyre.

Të shumta qenë mediat ndërkombëtare, të cilat nxorën këngëtaren në faqet e para të kopertinave, duke e cilësuar veshjen ndër më të veçantën.

Çifti rrëfen se përgjegjësia që morën përsipër ishte shumë e lartë.

Kujta shprehet se ata kanë kaluar net të tëra pa gjumë, për të realizuar veshjen, që do të sfidonte të gjitha pritshmëritë e imagjinatës.

Ndërkaq, Beyonce bëri deklaratën e veçantë, duke theksuar që “fustane si ky nuk i shes kurrë, por i lë për vajzën time”.

Pas kësaj, tregojnë se u kanë ardhur mjaft kërkesa për të bashkëpunuar me njerëz me famë botërore.

“Beyonce do të jetë motivimi ynë i pafund në krijimin e artit dhe avancimin e talentit tonë përtej oqeanit. Krijimtaria jonë do të jetë në shërbimin e të gjithëve”, u shprehën ata për Albanian Post.

Në fund, kur flasin për sfidat që kanë kaluar, ngjan si një histori përrallash, kur gjithmonë “pas shiut del dielli”.

“Kujta&Meri” rrëfejnë që nuk ka qenë aspak e lehtë, që të arrinin këtu, por puna e palodhur ka bërë të realizohet ëndrra e tyre.

Por diva e muzikës pop duket që nuk është mjaftuar me kaq. Ajo së fundmi ka mbajtur veshur sërish fustanin e stilistëve, në filmin historik të saj “Black is King”, nga ku rrezaton e tera.

Ndërsa i pyesim më shumë si ka qenë viti i pandemisë për ta, kuptojmë se pushimi ka lënë vend për surpriza të reja. Duket që dyshja e talentuar nuk kanë në plan ta lënë me kaq!

Të gjithë presim me padurim se cila do të jetë surpriza e radhës…

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore