Kujt i flet “Fatalita”? – Enada Hoxha tregon mbi mesazhin e fortë të shfaqjes për Albanian Post

SHFLETO
Sadiola Xhelili
24.06.2024 20:34
Loading Icons...

Të katërta, kanë një të përbashkët…guximin drejt vdekjes.

Kështu parapëlqen t’i cilësojë heroinat e shfaqjes “Fatalita” që do të ngjiten në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, Enada Hoxha, interpretuesja e tyre.

Juliette, Carmen, Anna Karenina dhe Violetta, do të bëhen bashkë te “Fatalita” – balet nga koreografi italian Toni Candeloro – në datat 25 dhe 26 qershor.

Për Albanian Post, Hoxha ka rrëfyer se shfaqja synon të krijojë një përvojë të mahnitshme artistike, “duke theksuar rëndësinë e artit në fuqizimin dhe përfaqësimin e gruas në shoqërinë tone”.

“Fatalita” synon të sjellë kështu, një përshtatje të historive tragjike me mesazhe të forta përmes baletit inovativ.

“Këto katër vepra të njohura u trajtuan për të nxjerrë në pah historitë e grave që përjetojnë tragjedi për shkak të mungesës së mbështetjes nga familja apo shoqëria”, ravijëzon Hoxha.

Po ashtu, ajo rendit një tjetër ‘mision’ të shfaqjes, i cili ka të bëjë me ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e publikut.

“Synuam të sjellim në vëmendje sfidat dhe tragjeditë që gratë shqiptare përballojnë në shoqërinë tone”, rithekson Hoxha.

Një vëmendje kjo, që publiku do ta njohë edhe nëpërmjet elementëve të lëvizjes, muzikës dhe kostumeve, të cilat së bashku shprehin emocionet dhe mesazhet kryesore të historive.

Ndërkohë, një rol të veçantë luan edhe skenografia. Përmes “Fatalita” është synuar të përforcohet roli i arteve performuese, me fokus në balet, duke integruar elemente inovative si projeksionet immersive, efektet e ndriçimit dhe kostumografia unike.

Nuk duhet harruar sakaq se realizimi i shfaqjes përfshin artistë dhe balerinë të parë nga Teatri alla Scala dhe Gran Teatro del Liceu për ta çuar performancën në një tjetër dimension.

E për t’i dhënë publikut një tjetër përvojë.

Gioacchino Starace është solisti i parë, i cili vjen direkt nga Teatri Alla Scala i Milanos për të sjellë Romeon e Shakespeare-it dhe Vronsky-n e Tolstoy-t.

Ndërsa toreadori i baletit Carmen vjen në një kërcim Flamenco nga kërcimtari spanjoll Marcos Rodriguez.