Lajme

Kufizimet ndaj udhëtarëve kinezë janë “të papranueshme” për Kinën


Pekini e ka dënuar ashpër vendosjen e testeve të COVID-it nga një duzinë vendesh për udhëtarët nga Kina, duke paralajmëruar se mund të ndërmarrë kundërmasa si hakmarrje .

“Disa vende kanë vendosur kufizime hyrëse që synojnë ekskluzivisht udhëtarët kinezë. Kjo nuk ka baza dhe disa praktikat janë të papranueshme”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning.

Ajo ka shtuar po ashtu se Kina mund të “marrë kundërmasa, bazuar në parimin e reciprocitetit”.

Kina ka përsëritur se është e gatshme të forcojë komunikimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të bashkëpunojë për të kapërcyer pandeminë, por e përkufizon përdorimin e “praktikave të tepërta” si të papranueshme.

E gjitha vjen pas kufizimeve të vendosura nga disa vende, si tamponi i detyrueshëm në mbërritje, pas shpërthimit të infektimeve dhe rikthimi i udhëtimeve jashtë vendit të vendosur nga autoritetet e Pekinit.

“E kundërshtojmë fuqimisht praktikën e manipulimit të masave të parandalimit dhe kontrollit të pandemisë për të arritur qëllimet politike”, ka theksuar zëdhënësja.

Nga ana tjetër është vështirë të kuptohet saktësisht se çfarë po ndodh në Kinë.

Në njoftimin e ECDC-së (Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin) theksohet se pas pikut të rasteve të shpallura më 2 dhjetor, në tre javët në vijim incidenca e virusit sipas autoriteteve kineze u ul, “ndoshta edhe për shkak të numrit të vogël të testeve të kryera”.

Pekini ka arritur të pranojë pesë mijë raste të reja në ditë, por sipas disa analistëve shifra është afro një milion.

Zyrtarisht, viktimat gjatë gjithë muajit dhjetor kanë qenë vetëm 13. Por sipas një vlerësimi të agjencisë britanike Airfinity, numri është rreth nëntë mijë vdekje në ditë.

Vendet që kanë vendosur kufizime për udhëtarët nga Kina

Ngado, qeveritë kanë vendosur ose konsiderojnë kufizime për udhëtarët nga Kina.

E gjitha pasi rastet e COVID-it në vend janë rritur pas lehtësimit të rregullave “zero-COVID”.

Vendet kanë përmendur mungesën e informacionit nga Kina për variantet dhe janë të shqetësuar për një valë infektimesh.

Sakaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka quajtur masat paraprake “të kuptueshme” në dritën e mungesës së informacionit dhe i ka kërkuar Pekinit të ndajë më shumë të dhëna mbi sekuencën gjenetike, si dhe shifra për shtrimet në spital, vdekjet dhe vaksinimet.

Por Kina i ka hedhur poshtë kritikat për të dhënat e saj për COVID-19 dhe ka njoftuar se pret që mutacionet e ardhshme të jenë potencialisht më të transmetueshme, por më pak të rënda.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin teste të detyrueshme për COVID-19 për udhëtarët nga Kina duke filluar nga 5 janari.

Të gjithë pasagjerëve të moshës dy vjeç e lart do t’u kërkojnë një rezultat negativ nga një test jo më shumë se dy ditë përpara nisjes nga Kina, Hong Kongu ose Macau.

Gjithashtu qytetarët amerikanë duhet të rishikojnë udhëtimin në Kinë, Hong Kong dhe Macau.

Mbretëria e Bashkuar do të kërkojë një test negativ të COVID-19 para nisjes nga pasagjerët nga Kina që nga 5 janari, sipas Departamentit të Shëndetësisë.

Franca do t’u kërkojë udhëtarëve nga Kina të japin një rezultat negativ të testit COVID më pak se 48 orë para nisjes.

Që nga 1 janari, Franca po kryen gjithashtu teste të rastësishme PCR COVID pas mbërritjes për disa udhëtarë që vijnë nga Kina.

Qeveria franceze u ka kërkuar gjithashtu të 26 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian që të testojnë udhëtarët kinezë për COVID-in.

Ata që udhëtojnë nga Kina në Australi do të duhet të paraqesin një test negativ për COVID-19 nga 5 janari, sipas ministrit australian të Shëndetësisë Mark Butler.

Butler ka përmendur “mungesën e informacionit gjithëpërfshirës” të Pekinit në lidhje me rastet e COVID-19 si arsyetimin prapa kërkesës së udhëtimit.

India ndërkohë ka mandatuar një raport negativ COVID-19 për udhëtarët që vijnë nga Kina, Hong Kongu, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajlanda.

Pasagjerët nga këto vende do të karantinohen nëse shfaqin simptoma ose rezultojnë pozitivë.

Kurse udhëtarët në Kanada nga Kina duhet të kenë një test negativ për COVID-19 jo më shumë se dy ditë para nisjes.

Japonia kërkon një test negativ për COVID-19 pas mbërritjes për udhëtarët nga Kina kontinentale. Ata që rezultojnë pozitivë do t’u kërkohet të qëndrojnë në karantinë për shtatë ditë.

Qeveria e atjeshme do të kufizojë gjithashtu kërkesat nga linjat ajrore për të rritur fluturimet drejt Kinës.

Italia ka urdhëruar tamponët e antigjenit COVID-19 dhe sekuencën e virusit për të gjithë udhëtarët nga Kina.

Aeroporti kryesor i Milanos, Malpensa, ka filluar tashmë testimin e pasagjerëve që mbërrijnë nga Pekini dhe Shanghai.

Ndërsa Spanja ka njoftuar se do të kërkojë një test negativ për COVID-19 ose një kurs të plotë vaksinimi kundër sëmundjes pas mbërritjes së udhëtarëve nga Kina.

Malajzia do të kontrollojë të gjithë udhëtarët në hyrje për ethe dhe do të testojë ujërat e zeza nga avionët që vijnë nga Kina për COVID-19.

Qendra Qendrore e Komandës Epidemike të Tajvanit ka njoftuar se të gjithë pasagjerët në fluturimet direkte nga Kina, si dhe me varkë në dy ishuj në det të hapur, do të duhet të bëjnë teste PCR pas mbërritjes, duke filluar nga 1 janari.

Ndërkaq, Koreja e Jugut do t’u kërkojë udhëtarëve nga Kina që të japin rezultate negative të testit COVID përpara nisjes.

Maroku do të vendosë një ndalim për njerëzit që vijnë nga Kina nga 3 janari, pavarësisht nga kombësia e tyre, duke përmendur nevojën për të shmangur “një valë të re infektimesh dhe të gjitha pasojat e saj”.

Katari do t’u kërkojë udhëtarëve që vijnë nga Kina nga 3 janari të japin një rezultat negativ të testit COVID-19 të marrë brenda 48 orëve nga nisja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore