Sport

Kualifikueset e Kupës së Botës femra, Kosova dhe Shqipëria përballen në ‘Fadil Vokrri’


Kombëtarja e femrave të Kosovës dhe Shqipërisë do të përballen këtë të martë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja do të luhet për llogari të kualifikueseve të Kupës së Botës, Australi – Zeland e Re 2023.

Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e Grupit F në këto kualifikuese. Së bashku me to janë edhe Norvegjia, Polonia, Belgjika dhe Armenia.

Sfida do të fillojë nga ora 16:00. Të dy skuadrat pas pesë javëve të luajtura kanë nga katër pikë në renditje dhe ndajnë, përkatësisht vendin e katërt Kosova dhe të pestin Shqipëria.

Kosova e humbi ndeshjen e fundit të luajtur në këto kualifikuese përballë Polonisë. Polaket fituan me përmbysje 2-1, në “Fadil Vokrri”. Shqipëria pësoi humbje të thellë përballë Norvegjisë me shifrat 7-0 në “Air Albania”.

Të dy skuadrat u përballën në ndeshjen e parë të këtyre kualifikueseve. Në sfidën e luajtur në Shqipëri, nuk pati fitues. Ndeshja përfundoi në shifrat 1-1. Megi Doçi shënoi për Shqipërinë dhe Valentina Limani për Kosovën.

Kualifikueset do të jenë të fundit për këtë vit. Ato do të rikthehen në prill të 2022. Më 7 prill 2022, Kosova do të përballet në transfertë me Norvegjinë. Në po të njëjtën datë, Shqipëria do të presë Belgjikën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore