Lajme

“Ku është Zoti tani?”


Pamje te femijeve ne nje kamp te perqendrimit

“Ku është Zoti tani?” është një pyetje nga kujtimet e një të mbijetuari të Holokaustit, Eli Wiesel, të shprehur në librin e tij “Nata”, të botuar në vitin 1956, në gjuhen judësh, e përkthyer më pas në gjuhë të tjera.

Holokausti ishte persekutimi dhe vrasja sistematike, e sponsorizuar nga shteti, e gjashtë milionë hebrenjve evropianë nga regjimi nazist gjerman, aleatët e tyre dhe bashkwpuntorwt. Holokausti ishte një ngjarje e tmerrshme që ndodhi në Evropë midis viteve 1933 dhe 1945.

Vitet 1933 dhe 1945 i përcakton edhe muzeu i Holokaustit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto vite lidhen drejtpërdrejte me ardhjen e Hitlerit dhe Nazistëve në pushtet dhe deri në kapitullimin e tyre në luftë, pas humbjes së luftës kundrejt Forcave Aleate.

Nazistët gjermanë që me ardhjen e tyre në pushtet kishin filluar planin kundër hebrenjve: radikalizmi i tyre do të kulmonte me planin e vitit 1941, të quajtur “Zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike”.

Në mënyrë që t’i izolonin dhe kontrollonin popullsinë hebrenje sa më lehtë, autoritetet gjermane krijuan getot në Evropën Lindore të pushtuar. Fillimisht, ata përqendruan banorët hebrenj nga brenda një qyteti dhe zona apo rajoni përreth. Por, duke filluar nga viti 1941, gjermanët filluan që t’i depërtonin edhe nga pjesët e tjera të Evropës.

Frikën dhe terrorin e përndjekjes më së miri e përshkruan një vajzë re, Anna Frank – në ditarin e saj, të cilin e shkroi gjatë kohës sa ishte e fshehur me familje.

“Unë pres që ju do të jeni të interesuar të dëgjoni se si është të fshihesh; Epo, gjithçka që mund të them është se nuk e njoh veten ende. Nuk mendoj se do të ndihem ndonjëherë si në shtëpinë time në këtë shtëpi, por kjo nuk do të thotë se e urrej këtu, është më shumë si të jem me pushime në një konvikt shumë të veçantë. Ndoshta një mënyrë e çmendur për të parë të qenit i fshehur, por kjo është se si më bën përshtypje. Fakti që nuk mund të dalim kurrë jashtë më shqetëson më shumë sesa mund të them, dhe më pas kam vërtet frikë se do të na zbulojnë dhe pushkatojnë, një perspektivë jo shumë e bukur”, shkruan 13 vjeçarja në ditarin e saj.

Brutaliteti i nazistëve gjerman ishte i tmerrshëm, Elie Wiesel në librin e tij i përshkruan mizoritë e nazistëve të cilët nuk kursyen askënd;

“Një ditë, kur u kthyem nga puna, pamë tre varje, tre korba të zinj, të ngritur në Appelplatz. SS – të që na rrethojnë, mitralozat na kanë drejtuar: rituali i zakonshëm. Tre të burgosur me zinxhirë – dhe mes tyre, djaloshi i vogël, engjëlli me sy të trishtuar. SS dukej më i preokupuar, më i shqetësuar se zakonisht. Varja e një fëmije para mijëra shikuesve nuk ishte një çështje e vogël. Kreu i kampit lexoi vendimin. Të gjithë sytë ishin te fëmija. Ai ishte i zbehtë, pothuajse i qetë, por po kafshonte buzët teksa qëndronte në hijen e trekëmbëshit.

Këtë herë, Lagerkapo refuzoi të vepronte si xhelat. Tre SS zunë vendin e tij. Të tre të burgosurit e dënuar së bashku u ngjitën në karrige. Në unison, laqet u vendosën në qafë”, rrëfen ai.

Auschwitz është njëri nga kampet ku u krye gjenocidi kundër hebrenjve, një qytet polak i pushtuar nga gjermanët.

Përgjatë viteve 1941 – 1945, në këtë kamp u deportuan rreth 1.3 milion njerëz; ku 1.1 u vranë. 960.000 ishin hebrenj.

Ashtu si disa kampe përqendrimi, Aushvic kishte një dhomë gazi dhe krematorium. Fillimisht, inxhinierët nazistë ndërtuan një dhomë të improvizuar gazi në bodrumin e bllokut të burgut, Blloku 11.

Më vonë, një dhomë më e madhe e përhershme gazi u ndërtua si pjesë e krematoriumit origjinal në një ndërtesë të veçantë jashtë kompleksit të të burgosurve.

I mbijetuari i Holokaustit, Eli Wiesel, përderisa sheh vrasjen e tre hebrenjve, mes tyre edhe një fëmijë, reflekton edhe mbi natyrën e Zotit në funksion të përgjigjejes të mizorive që i sheh dhe ka rrëfyer në librin e tij “Nata”;

“Dëgjova të njëjtin burrë duke pyetur: “Për hir të Zotit, ku është Zoti?”

Dhe nga brenda meje, dëgjova një zë që përgjigjej:

“Ku është ai? Ja ku – varur këtu nga kjo varje…”

Holokausti është projekti më famëkeq që kishte për qëllim shfarosjen e një populli.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara caktoi 27 janarin – përvjetorin e çlirimit të Auschwitz-Birkenau – si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore