Shqipëria

Ku është intelektuali publik në Shqipëri


Laura Mersini-Houghton dhe Mira Murati.

Një fizikante e rrallë kozmologe dhe shefja e teknologjisë në ChatGPT.

Pa shkuar më tej, mjaftojnë këto dy figura të praruara shqiptare të cilat shndrisin në nivelet botërore intelektuale të shkencës.

Kjo, për të kuptuar se mbështetja e specialistëve të shkëlqyer nuk është në agjendën e Akademisë së Shkencave në Shqipëri ose autoriteteve shqiptare.

Për më tepër, dy gra në një territor ku syri të sheh vetëm burra të varur nga titujt shkencorë.

Por, cila është rruga që duhet të ndjekësh për të marrë titujt shkencorë?

Referuar VKM-së 112 të vitit 2018, kriteret për përfitimin e gradës shkencore “Doktor” dhe titujve akademikë “Profesor i asociuar” dhe “Profesor” janë të përcaktuar në mënyrë strikte.

Për të marrë gradën “doktor” në fund të studimeve të ciklit të tretë kandidati, duhet të ketë realizuar tre referime, dy nga të cilat të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian ose G20-ës.

Së dyti, të ketë botuar, së paku, tre artikuj shkencorë në revista shkencore, nga të cilët dy të jenë botuar ose pranuar për botim në revista të indeksuara.

VKM-ja përcakton ndër të tjera se revistat e indeksuara dhe me faktor impakti duhet të jenë të renditura nga Thomson Reuters ose Scopus.

Por të gjitha këto botime kushtojnë, ndërkohë që në Shqipëri doktoranti jo vetëm që nuk paguhet gjatë tre viteve që zgjat ky cikël studimesh, por madje ai duhet të paguajë që të pranohet.

Mesatarisht, përllogaritet që një doktorant ka një kosto prej afërsisht 10 mijë euro për të përfunduar ciklin.

Nga të cilat 5 mijë euro tarifa që i paguan universitetit dhe 5 mijë euro për kërkim shkencor, pjesëmarrje në konferenca dhe botime të tyre, gjë që e komprometon këtë proces.

Roli i Akademisë së Shkencave

Profesorët e Akademisë së Shkencave kanë mendimet e tyre për rolin e ndarë mes qeverisë dhe institucionit ekselent të dijes sa i takon kësaj çështjeje.

Profesori Fatos Tarifa mendon se akademia e re e Shkencës dhe Artit ka në fokus që zhvillimin e artit dhe kulturës ta paraqesë për publikun e gjerë.

“Kjo akademi ka bërë disa forume publike. Ky është misioni, që dijen, zhvillimin e artit dhe kulturës t’i vendosë në shërbim të publikut që besoj se akademitë e tjera nuk e kanë me këtë cilësi. Kjo është një akademi, pan-shqiptare, bëjnë pjesë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora”, deklaroi Tarifa për transmetuesin “Report TV”.

Më tej ai shtoi se qeveria nuk fton njerëzit e duhur për të marrë informacione mbi politikat të cilat janë të nevojshme për t’u ndërmarrë.

Teksa theksoi këtë fakt, Tarifa bëri me dije se akademia e re e Artit dhe Shkencës nuk subvencionohet nga shteti dhe puna e shkencëtarëve është vullnetare.

Profesori dhe anëtari i Akademisë të Shkencave, Et’hem Ruka mendon se duhet të ketë më shumë përqendrim tek studiuesit shqiptarë dhe jo tek politika që sipas tij i ka bërë njerëzit të ndihen të lodhur me debate të cilat nuk vlejnë për asgjë.

“Unë kam qenë edhe në politikë, rreth 17 vite, opinioni publik në Shqipëri është lodhur me debate të tilla me fjalorin e kufizuar, vula, firma etj. Për të cilat publikut nuk i vlejnë asgjë. Shumica e këtyre debateve, nuk mund të lënë gjurmë. Masakrimi që i bëhet gjuhës shqipe është diçka për të cilën duhet folur. Kush i ka thirrur gjuhëtarët për të folur mbi këto çështje? Ata që merren me kërkim shkencor nuk janë shumë të njohur. Kurse një tjetër që bëjnë një këngë e marrin vesh të gjithë”, u shpreh Ruka.

Historiani Pëllumb Xhufi ndan të njëjtin mendim duke thënë se njerëzit duhet të dëgjonin nga shkencëtarët e fushave të caktuara dhe jo nga persona të cilët nuk kanë kualifikimin e duhur për të folur për tema konkrete.

“Akademia e Shkencave, e ka për detyrë funksionale të merret me vepra bazike, me historinë dhe fjalorin e gjuhës shqipe. Por merret edhe me shkencat e sakta që me nanoteknologjinë etj. Për këtë qëllim janë krijuar edhe komisione ku bëjnë pjesë studiues jo vetëm nga Akademia e Shkencave por nga universitete të tjera. Por në studio shohim që flasin për histori, pellazgollogë, të cilët mund të kenë qenë veterinerë, apo juristë të shkëlqyer, dhe fillojnë e flasin për pellazgët për të cilët nuk flasin as Eqerem Çabej, e historianë të tjerë”, theksoi Xhufi.

Profesori Fatos Tarifa tha se ishte e papranueshme që doktoraturat të jepen për politikanë të cilët nuk kanë as edhe një ditë të vetme punë shkencore.

Sipas tij, një prej arsyeve që nuk ndëshkohet plagjiatura në vend, është sepse vetë anëtarët e parlamentit kanë plagjiaturë në punimet e tyre për të cilat kanë marrë gradë shkencore.

Rënia e intelektualizmit

Zvetënimi intelektual në Shqipëri nuk është një simptomë e izoluar par excellence.

Një nga shpikjet më karakteristike të kulturës moderne franceze ishte pikërisht “intelektuali”.

Intelektualët në Francë nuk janë vetëm ekspertë në fushat e tyre të veçanta, si letërsia, arti, filozofia dhe historia.

Ata gjithashtu flasin në terma universale dhe pritet të ofrojnë udhëzime morale për çështje të përgjithshme sociale dhe politike.

Në të vërtetë, intelektualët më të shquar francezë janë figura thuajse të shenjta, të cilët u bënë simbole globale të kauzave që ata mbrojnë – pra denoncimi i fuqishëm i intolerancës fetare nga Voltaire, mbrojtja nxitëse e Rousseau-t për lirinë republikane, tirada elokuente e Victor Hugo-s kundër despotizmit napoleonik apo mbrojtja e guximshme e Simone de Beauvoir për emancipimin e grave.

Mbi të gjitha, intelektualët u kanë dhënë francezëve një ndjenjë ngushëlluese të krenarisë kombëtare.

Ky intelektualizëm francez është shfaqur gjithashtu në një sërë teorish verbuese rreth dijes, lirisë dhe gjendjes njerëzore.

Brezat e njëpasnjëshëm të intelektualëve modernë – shumica prej tyre të shkolluar në Ecole Normale Supérieure në Paris – kanë debatuar ashpër kuptimin e jetës në libra, artikuj gazetash, peticione, recensione dhe revista, në procesin e krijimit të sistemeve filozofike abstruse si racionalizmi, eklekticizmi, spiritualizmi, republikanizmi, socializmi, pozitivizmi dhe ekzistencializmi.

Por realiteti francez është larg nga ngushëllimi.

Sistemi francez i arsimit të lartë i mbipopulluar dhe i nënfinancuar po rrënohet, siç tregohet nga renditja relativisht e ulët globale e universiteteve franceze në tabelën e ligës së Shangait.

Sistemi është bërë edhe më pak meritokratik dhe më teknokratik, duke prodhuar një elitë e cila është dukshëm më pak e sofistikuar dhe intelektualisht krijuese sesa paraardhësit e tij të shekullit të 19-të dhe 20-të.

Ndoshta arsyeja më e rëndësishme për humbjen e dinamizmit intelektual francez është ndjenja në rritje se ka pasur një tërheqje të madhe të fuqisë franceze në skenën globale, si në termat e tij materiale, “të vështira” dhe në dimensionet e tij “të buta” kulturore.

Në një botë të dominuar politikisht nga Shtetet e Bashkuara, kulturalisht nga “anglo-saksonët” e poshtër dhe në Evropë nga fuqia ekonomike e Gjermanisë, edhe francezët po luftojnë të rishpikin veten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore