Shqipëria

Kthimi i sistemit hekurudhor në shina dhe investimet në Ballkanin Perëndimor – Intervistë me drejtuesen e BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova


Rëndësia e sistemit hekurudhor në Ballkanin Perëndimor është kuptuar dhe Qeveritë po e shohin si mënyrë për nxitjen e rritjes ekonomike, integrimit rajonal, si dhe promovimit të një mënyre transporti më të shpejtë, më të gjelbër dhe më efikase.

Kështu shprehet në një intervistë me Albanian Post, Ekaterina Solovova, drejtuese e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri.

Solovova tregon se vetë financimi i BERZH-it në sektorin hekurudhor në rajon tejkalon shifrën e 1.2 miliardë eurove përmes 29 projekteve, duke nxitur lidhjen rajonale.

Por vetëm kaq nuk mjafton.

Ajo ka theksuar se sektori përballet me një sërë sfidash: nga nevoja e madhe për investime, mungesa e fuqisë punëtore dhe mungesa e reformave adekuate.

Ndërkaq sa i takon Shqipërisë, drejtuesja e zyrës së BERZH-it thotë se nga viti 2016, mjedisi i biznesit është përmirësuar në shumicën e fushave.

“Për këtë kanë kontribuar disa reforma, duke përfshirë legjislacionin e miratuar për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, duke nisur funksionimin efektiv të Bursës Shqiptare të Energjisë”.

Intervista e plotë e Ekaterina Solovova-s me Albanian Post

Dikur rajoni i Ballkanit Perëndimor lidhej me një rrjet të gjerë hekurudhor, por tani gjërat kanë ndryshuar. A mendoni se rrjeti hekurudhor i Ballkanit mund të rikthehet në shina?

Në dekadat e fundit fokusi i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë zhvillimi i sektorit të rrugëve duke pasur parasysh lidhjen e tyre të dobët.

Si rrjedhojë, mungesa e madhe e investimeve në hekurudha ka çuar në moszhvillimin e këtij sektori në rajon.

Megjithatë, në vitet e fundit, Qeveritë e kanë pranuar rëndësinë që ai ka për nxitjen e rritjes ekonomike dhe integrimit rajonal, si dhe promovimin e një mënyre transporti më të shpejtë, më të gjelbër dhe më efikase.

Në këtë kuadër, ata kanë përgatitur dhe zbatuar projekte që synojnë përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore dhe rritjen e shërbimeve të funksionimit hekurudhor.

Këto investime të rëndësishme në të gjithë rajonin mbështeten nga BERZH-i dhe partnerët e saj institucionalë si Bashkimi Evropian (BE) dhe Banka Evropiane e Investimeve (EIB).

Deri më sot, financimi total i BERZH-it në sektorin hekurudhor në rajon tejkalon shifrën e 1.2 miliardë eurove përmes 29 projekteve, duke nxitur lidhjen rajonale.

Së fundmi, ne dhamë një kredi prej 98.75 milionë euro dhe mobilizuam 140 milionë euro grante dhe asistencë teknike nga BE-ja, plus një hua me vlerë të ngjashme nga EIB për rehabilitimin e linjës hekurudhore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

Paketa e financimit përfshin një asistencë të rëndësishme teknike për Hekurudhën Shqiptare për të rritur kapacitetet të zbatimit të projektit.

Kjo rikonfirmon angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it për sektorin pas investimit të parë në linjën hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit dhe lidhjes me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, e cila është aktualisht në zbatim.

Investime të tjera të rëndësishme në rajon përfshijnë projektet e lidhjes që janë pjesë e shtrirjes së Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T) si Korridori VIII që lidh Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë, Linja 10 që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut në jug dhe Serbinë në veri, hekurudha e shpejtësisë në Korridorin X që lidh Nishin me Beogradin dhe Linja 4 në Mal të Zi që lidh portin e Tivari me kufirin serb.

Në projektin e fundit – në Shqipëri – BERZH njoftoi se do t’i ofronte qeverisë një kredi prej 98.75 milionë euro për rehabilitimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Cilat do të jenë fazat e tjera të këtij projekti?

Huaja e BERZH-it për këtë projekt u nënshkrua më 26 shkurt 2024 në margjinat e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër.

Së shpejti pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje të tjera financimi si marrëveshja e grantit ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH-it për grantet e BE-së të ofruara nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontrata e financimit me EIB.

Për sa i përket zbatimit, fillimisht do të nisin punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore, e më pas do të realizohet elektrifikimi i linjës që është pjesë e projektit të përgjithshëm.

Procesi i modernizimit mund të jetë tepër i ngadalshëm edhe nëse financimi nuk është problem – cili është niveli i kompleksitetit të projekteve të infrastrukturës hekurudhore në rajon?

Sektori përballet me një sërë sfidash.

Së pari, nevojat për investime në sektorin hekurudhor janë shumë të mëdha, ndërsa kapacitetet huamarrëse të vendeve janë të kufizuara.

Prandaj, ka nevojë për prioritizimin e investimeve dhe përgatitjen e strategjive të duhura që duhet të fokusohen në promovimin e lidhjes rajonale që është kyçe për zhvillimin ekonomik.

BERZH-i dhe partnerët institucionalë të BE-së po punojnë ngushtë për të ndihmuar vendet e rajonit të kapërcejnë këtë sfidë duke përzier financimin e huave me fonde të konsiderueshme grantesh për të rritur përballueshmërinë e këtyre investimeve.

Së dyti, duke pasur parasysh mungesën e investimeve në sektor prej dekadash, kapacitetet zbatuese duhet të rriten për të përmbushur kërkesat e projektit.

Kjo, në përputhje me standardet e prokurimit, mjedisore dhe sociale të institucioneve financiare ndërkombëtare që mbështesin këto projekte.

Përveç kësaj, sektori përballet me sfida të fuqisë punëtore, kryesisht për shkak të plakjes së saj si dhe hendekut të aftësive.

Prandaj, nevojitet zhvillimi i kapaciteteve njerëzore dhe tërheqja e profesionistëve të rinj për të punuar në këtë sektor në pritje të ndryshimeve teknologjike pas investimeve.

BERZH-i po ndihmon për të promovuar punësimin e të rinjve në këtë sektor duke krijuar mundësi punësimi përmes programeve të duhura arsimore dhe trajnimi.

Gjithashtu po inkurajon kontraktorët që të punësojnë të rinjtë në aktivitetin e ndërtimit gjatë zbatimit të projekteve të financuara nga BERZH.

Së treti, ritmi i reformave për të mbështetur ndarjen e tregjeve, konkurrencën, qeverisjen, komercializimin e sektorit duhet të përshpejtohen.

Kjo tani është edhe më e rëndësishme në kontekstin e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili do të kushtëzojë shpërndarjen e fondeve me progresin e reformave – për të mbështetur konvergjencën ekonomike të vendeve në rajon dhe për t’i afruar ato me BE-në.

Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë zotuar të zbatojnë reformat sektoriale në përputhje me detyrimet e tyre sipas Komunitetit të Transportit dhe Planit të Veprimit të tij Hekurudhor.

Projektet e cilësuara si të dyshimta janë shpesh një problem në rajon, a është BERZH-i në dijeni të financimeve të diskutueshme si ato kineze dhe ruse?

Mund të flasim vetëm për projektet që ne financojmë.

Të gjithë klientët tanë duhet të jenë në përputhje me kriteret strikte të kualifikimit të BERZH-it.

BERZH nuk ka bërë asnjë investim të ri në Rusi që nga viti 2014 dhe Rusia nuk ka qasje në burimet e Bankës që nga viti 2022.

Duke lënë pas sistemin hekurudhor, në një raport të publikuar së fundmi BERZH-i vlerësoi se në të gjitha vendet e Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, kënaqësia për të jetuar është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2016, por jo në Shqipëri. Sipas jush, cilat janë shkaqet?

Shumë faktorë bashkohen për të formuar kënaqësinë nga jeta dhe rëndësia e këtyre faktorëve ndryshon nga vendi në vend.

Pyesni veten nëse jeni të kënaqur me jetën dhe shumë gjëra mund të vijnë në mendje.

Shanset janë, gjëra të ndryshme po t’i krahasojmë me 5 apo 10 vjet më parë.

Disa vende që panë përmirësime të ndjeshme në Evropën në zhvillim filluan nga nivele shumë të ulëta të kënaqësisë nga jeta rreth njëzet vjet më parë – diku gjysma e nivelit të sotëm në Shqipëri.

Është ndoshta një gjë e mirë që kjo në Shqipëri nuk ka qenë kurrë kaq e ulët.

Do të thotë gjithashtu më pak hapësirë për përmirësim.

Ajo që ne vërejmë në sondazh është se përmirësimet shpesh shkojnë paralelisht me përmirësimet në shëndetin e vetë-raportuar, fizik dhe mendor.

Sondazhi tregon se kjo është një fushë ku mbetet të arrihet shumë përparim.

Nga ana pozitive, shëndeti i vetë-raportuar ka ardhur duke u përmirësuar – në rajon më gjerësisht dhe në Shqipëri.

Nga ana tjetër, hendeku në lidhje me Gjermaninë dhe ekonomitë e tjera të përparuara mbetet i madh, veçanërisht për të anketuarit më të moshuar.

Sondazhi thekson gjithashtu rëndësinë e vëmendjes së shtuar ndaj çështjeve të shëndetit mendor – si në ekonomitë e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim.

Dhe lidhur me shëndetin, ndotja shpesh ka një peshë të rëndë te kënaqësia e të jetuarit – ne e shohim atë në të gjithë ekonomitë.

BERZH është një forcë ekonomike dhe shtytëse në Shqipëri – gjatë pranisë së saj në vend, a ka pasur një ndryshim në mënyrën se si Shqipëria ka arritur të përfitojë nga fondet?

Në Shqipëri, BERZH-i ka investuar rreth 2 miliardë euro që nga viti 1992 në 150 projekte të ndryshme në një sërë sektorësh, nga energjia dhe infrastruktura e transportit, tek mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, institucioneve financiare si dhe mbështetja ndaj investimeve më të mëdha të huaja – për shembull, Gazsjellësi Trans-Adriatik.

Ne i rishikojmë prioritetet tona strategjike çdo 5 vjet dhe i harmonizojmë ato me agjendën e zhvillimit të vendit dhe mandatin e Bankës.

Megjithatë, ne përgjithësisht gjithmonë jemi fokusuar në zhvillimin e një ekonomie konkurruese, gjithëpërfshirëse dhe të mirëqeverisjes, sektorit privat të fuqishëm dhe sistemeve financiare elastike.

Vitet e fundit, ne i kemi dhënë më shumë rëndësi gjelbërimit të ekonomisë dhe diversifikimit të burimeve të energjisë së gjelbër, duke njohur varësinë e lartë të Shqipërisë nga burimet hidrike dhe cenueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.

Ne e arrijmë ndikimin tonë duke kombinuar financimin (përfshirë të përzier me grante) me këshilla për politika dhe asistencë teknike.

Një shembull i mirë i një mbështetjeje të tillë gjithëpërfshirëse është Programi ynë i Energjisë së Rinovueshme, ku ne këshillojmë qeverinë për hartimin dhe drejtimin e ankandeve të energjisë diellore dhe të erës dhe kornizën legjislative, si Ligji për Sektorin e Energjisë, duke mobilizuar gjithashtu financimin për zbatimin e projekteve të energjisë së rinovueshme.

Së fundi, është e rëndësishme të theksohet se prioritetet tona strategjike aktuale në Shqipëri janë plotësisht në përputhje me procesin e integrimit në BE.

Si do ta vlerësonit mjedisin në Shqipëri, kur bëhet fjalë për të bërë biznes, apo për thithjen e kompanive të reja?

Nga viti 2016, mjedisi i biznesit në Shqipëri është përmirësuar në shumicën e fushave me kalimin e kohës, sipas treguesve të BERZH-it.

Për këtë kanë kontribuar disa reforma, duke përfshirë legjislacionin e miratuar për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, duke nisur funksionimin efektiv të Bursës Shqiptare të Energjisë.

Ligji për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, i miratuar në prill të vitit 2023, përcaktoi rregulla për mbështetjen financiare për prodhuesit e energjisë së rinovueshme dhe lejoi që të hapeshin disa ankande të erës dhe diellit.

Këto reforma po e ndihmojnë Shqipërinë të bëhet më konkurruese dhe më elastike në të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore