Lajme

Kthimi i maceve të egra në shtëpiake, ua ka dembelosur trurin


Një studim i ri që hedh dritë mbi efektet e zbutjes së gjitarëve ka zbuluar se truri i maceve është rrudhur ndjeshëm që kur njerëzit filluan të kujdeseshin për to si kafshë shtëpiake 10 mijë vjet më parë.

Teksa madhësia e reduktuar e trurit besohet të jetë një karakteristikë kryesore e gjitarëve të zbutur, studiuesit kanë thënë se krahasime të tilla të madhësisë së trurit shpesh bazohen në literaturë të vjetër dhe të paarritshme.

Sipas tyre, në disa raste, studimet që kanë bërë krahasime midis kafshëve shtëpiake dhe specieve të egra mund të mos përfaqësojnë paraardhësit e vërtetë të specieve shtëpiake që vlerësohen.

Kurse në hulumtimin e ri, shkencëtarët kanë përsëritur studimet mbi  vëllimet e kafkës në macet shtëpiake, të botuara në vitet 1960 dhe 1970, me të cilat kanë krahasuar macet e egra, macet shtëpiake dhe hibridet e tyre.

Bazuar në këtë, ata kanë vlerësuar përmasat e kafkës së maceve shtëpiake dhe i kanë krahasuar me ato të maceve të egra evropiane dhe maceve të egra afrikane.

Gazeta “The Independent” tregon se ky studim doli në përfundimin se macet shtëpiake kanë kafka më të vogla se sa macet e egra evropiane dhe afrikane.

Ndërkaq, studiuesit besojnë se studimet e mëtejshme mbi më shumë specie mund të ndihmojnë për të kuptuar më mirë efektet e tjera të zbutjes te macet.

Kjo pasi, sipas tyre, ka disa kufizime për të nxjerrë informacion nga literatura e vjetër që nuk është e lehtë për t’u aksesuar.

“Pjesa më e madhe e literaturës që krahason kafshët e egra dhe ato shtëpiake është e vështirë për t’u aksesuar, ose mund të ketë probleme metodologjike”, ka thënë studiuesja Raffaela Lesch.

Ajo ka shtuar se “duhet të bëjmë përpjekje për të riprodhuar gjetjet e vjetra për të çuar më tej fushën e kërkimit të zbutjes dhe për të parë nëse hipotezat janë ndërtuar mbi një themel të fortë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore