KSHZ: Deri në orën 13:00 votuan 26.35 për qind të qytetarëve

Foto/Reuters

Armat Matoshi
24.04.2024 14:34
Loading Icons...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut njoftoi se deri në orën 13:00 kanë votuar 26.35 për qind nga 1.8 milion qytetar me të drejtë vote, ndërsa bëhet e ditur gjithashtu se pavarësisht disa pengesave të vogla teknike në disa vendvotime, cikli i shtatë i zgjedhjeve presidenciale në përgjithësi është duke u zhvilluar pa telashe të theksuara.

Kjo përqindje vjen pas përpunimit të të dhënave nga 3420 vendvotime nga 3480 gjithsej. KSHZ-ja njoftoi më herët se deri në ora 11:00 të drejtën e votës në gjithë territorin e vendit e shfrytëzuan 12.78 për qind e qytetarëve, ndërsa as përgjatë kësaj kohe nuk është raportuar për ndonjë parregullsi. Ky proces nisi në orën 07:00 dhe do zgjasë deri në orën 19:00.

Në garën presidenciale, përveç presidentit aktual, Stevo Pendarovski, i cili u propozua nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane” që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), janë edhe dy shqiptarë. Nga koalicioni “Fronti Evropian” nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon Bujar Osmani, ministri aktual i Punëve të Jashtme të RMV-së.

E koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN” në përbërje prej Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, udhëhiqet nga Arben Taravari, kryetari aktual i komunës së Gostivarit dhe kandidati që u mbështet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fakt shkaktoi një valë të polemikave dhe përplasjeve ndër-shqiptare në Prishtinë e Shkup.

Megjithatë, gara kryesore pritet të jetë mes kandidatëve maqedonas. Duke qenë se në raundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti për shkak se ligji përcakton që një kandidat/e duhet të marrë mbi gjysmën e votave të qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve, pritet të organizohet një raund i dytë.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët më të votuar, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave. E raundi i dytë pritet të mbahet më 8 maj, ditën kur janë edhe zgjedhjet parlamentare. Për këtë arsye, zgjedhjet presidenciale vlerësohen të jenë shumë të rëndësishme për shkak se priten ta përcaktojnë disponimin e qytetarëve edhe në zgjedhjet qendrore.

Të fundit

Aktuale