Rajoni

KSHZ: Dalja në zgjedhje presidenciale është 12.87 për qind, në zgjedhjet parlamentare 13.69 për qind


Ilustrim

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se deri në orën 11:00 në zgjedhjet presidenciale kanë votuar 12.87 për qind nga rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote, ndërsa në zgjedhjet parlamentare 13,69 për qind.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski, njoftoi më herët se dalja në zgjedhjet presidenciale në dy orët e para ishte 4.17 për qind, ndërsa në zgjedhjet parlamentare 4.45 për qind, derisa hodhi poshtë pretendimet se mund të ketë bojkot të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar të mërkurën kutive të votimit për t’i zgjedhur presidentin dhe parlamentin e ri të vendit, derisa deri tani nuk është raportuar për asnjë parregullsi në procesin e dyfishtë zgjedhor.

Në garën presidenciale janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Gordana Silanovska-Davkova, dhe kryetari aktual i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet. E vota e shqiptarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të jetë vendimtare për presidentin e ri të vendit.

Ndryshe, beteja kryesore në garën për 120 ulëset e parlamentit, ku marrin pjesë 17 lista të deputetëve, zhvillohet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në kampin shqiptar mes Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit opozitar shqiptar VLEN, i cili mbështet nga kryeministri i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore