Kryetari i Partisë Popullore Evropiane: Serbia të kuptojë se Kosova është shtet

SHFLETO

Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber

 

Dini Fetahu
15.11.2023 21:02
Loading Icons...

Presidenti i Partisë Popullore Evropiane (ENP), njëherit deputet në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, ka thënë se nga Serbia pritet që të përmbushë rekomandimet që i janë paraqitur në Raportin e Progresit, mbi të gjitha, ka theksuar ai, të zgjedhë problemet me Prishtinën dhe ta kuptojë se Kosova është shtet.

Raporti i Progresit i javës së kaluar, ka theksuar Weber, ishte një mesazh i qartë për atë që pritet nga Serbia, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe perspektivën më të gjerë në rajon, për të sqaruar situatën në Kosovë, marrëdhëniet ndaj Kosovës.

“Për këtë çështje presim mesazhe dhe hapa të qarta nga Serbia, për të kuptuar se Kosova është shtet dhe se si e tillë është pranuar nga shumica e vendeve anëtare të BE-së”, tha Weber në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”.

Sa i përket zgjerimit të Unionit, eurodeputeti gjerman ka deklaruar se partia që ai e udhëheqë e mbron dhe është në favor të një ide të tillë, që sipas tij, do të sillte stabilitet në BE, teksa ka shtuar se zgjerimin e sheh nga një kënd gjeopolitik.

“Ka shumë zhgënjim në Ballkanin Perëndimor. Duhet të them se kjo është edhe për shkak të sjelljes së disa anëtarëve të Bashkimit Evropian. Ne duhet ta kapërcejmë atë, duhet t’i kthehemi mënyrës së vjetër të të menduarit kur u anëtarësuam në Bashkimin Evropian prej 10 anëtarësh pas rënies së Murit të Berlinit dhe kjo ishte e mirë për të gjithë. Kjo mënyrë e të menduarit për zgjerimin tani duhet të zbatohet edhe në Ballkanin Perëndimor, Moldavi, Ukrainë dhe vende të tjera”, shtoi.

Jashtë kësaj, ai ka folur edhe për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në Serbi më 17 dhjetor, për të cilat, ka pohuar se do të jenë një test nëse shteti serb është një demokraci funksionale.

“Pra, ka shumë punë për t’u bërë në lidhje me lirinë e medias, nëse të gjithë qytetarët kanë vërtet qasje në të gjitha informacionet. Kjo është në rrezik. Dhe unë besoj në këtë, autoritetet do të garantojnë një fushatë të drejtë në Serbi dhe se njerëzit do të votojnë për të ardhmen e tyre. Është e qartë për ne – dera është e hapur, ne duam të punojmë, të bashkëpunojmë së bashku, duke marrë parasysh vlerat e qarta evropiane dhe parimet e qarta”, ka potencuar Weber ndër të tjera.