Kosova

Kryetari i gastronomëve e quan gënjeshtar Muratin: Jam i zhgënjyer


Petrit Kllokoqi

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka reaguar ndaj Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, për vendimin e kthimit në nivelin paraprak të tatimit mbi vlerën e shtuar për gastronomet, duke quajtur atë gënjeshtar.

Kllokoqi, është shprehur se është jashtëzakonisht i zhgënjyer me Ministrin Murati.

“Morre RRENC, në tavolinë më ke premtuar mua dhe atyre që ishin me mua që TVSH-në do e vazhdon me 8 për qind deri sa të ekziston pandemia. Jo që nuk na ndihmuat por edhe po na fundosni. Është hera e parë që një politikan më rren në sy, më falni për shprehjen RRENC por me të vërtet jam ZHGËNJY”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.

Hekuran Murati

Ndryshe Ministri Murati në një konferencë për media gjatë ditës së mërkurë, kishte paralajmëruar se nga janari i vitit të ardhshëm, TVSH-ja do të kthehet në 18%.

“Prej datës 1 janar të vitit 2022, do të kthehet niveli paraprak, pra 18 për qind. TVSH-ja e ulur nga 18 për qind në 8 për qind ka qenë e paraparë që nga fillimi pra që të jetë në fuqi nga data 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor 2021, dhe po skadon”, ka deklaruar Murati.

Për shkak të pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me qëllim që të ndihmoheshin bizneset dhe qytetarët që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga Coronavirusi.

Nëpërmjet këtij ligji, norma e TVSh-së ishte reduktuar nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi ndërsa ishte larguar për lëndën e parë të prodhuar në Kosovë si dhe transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore