Lajme

Kryetari i Bujanocit, për masat e reja: Studentët e Luginës së Preshevës u kthyen në kufi


Nagip Arifi, Kryetar i komunës së Bujanovcit

Masat e reja anti COVID që ka vënë Kosova, karshi shtetasve të huaj të cilët kalojnë kufirin për të hyrë, po shkaktojnë probleme edhe për qytetarët e Luginës.

Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Nagip Arifi, ka folur rreth masave që shteti i Kosovës ka vënë në fuqi, duke thënë se gjatë ditës së hënë studentët e Luginës që studiojnë në Universitetin e Prishtinës, janë detyruar të rikthehen, pasi nuk i kanë pasur tri dozat e vaksinës.

“Nuk kam marrë përgjigje nga kryeministri Kurti. Dje disa studentë, të cilët studiojnë në Universitetin e Prishtinës, kanë tentuar që të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, por janë kthyer në pikën kufitare ‘Dheu i Bardhë’”, ka thënë Arifi.

“Shpresoj që në ditët në vijim Qeveria Kurti do ta shqyrtojë kërkesën tonë dhe do të reflektojë në aspektin pozitiv që t’u lejohet shqiptarëve të Luginës së Preshevës të udhëtojnë në drejtim të Kosovës”.

Tutje, Arifi shtoi se përveç studentëve, ka edhe qytetarë që kanë familjarët dhe bizneset në Kosovë.

“Përveç studentëve, kemi edhe raste të tjera. Ju e dini që në Luginë të Preshevës nuk ka spital rajonal, kështu që nganjëherë qytetarët janë të detyruar që të kërkojnë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjilanit, kështu që ka njerëz që i lidh edhe çështja familjare dhe ka prej tyre që kanë bizneset e tyre”, tha Arifi në Klan Kosova.

Përveç shqiptarëve në luginën e Preshevës, probleme me masat e reja anti COVID  të Qeverisë së Kosovës, kishin edhe banorët e Kukësit.

Paraditen e 24 janarit, ata protestuan pranë pikës kufitare në Morinë, “për heqjen e pengesave të lëvizjes së lirë nga Qeveria e Kosovës”.

Ndërsa organizatori i kësaj proteste kërkoi mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kukësit, por jo vetëm.

“Kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, shkruhet në njoftim.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar masat e reja anti Covid-19.

Të gjithë personat që hynë në Republikën e Kosovës sipas masave të reja duhet të jenë të vaksinuar së paku me 3 doza.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë, “certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19”.

“Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”, thuhet në njoftim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore