Shqipëria

Kryetari de/konstruktiv i Partisë Demokratike


Konferenca e dy ditëve më parë e Lulzim Bashës nuk ishte më e pazakonta, por ishte më e strukturuara – të paktën në kujtesën e viteve të fundit.

Prej kohësh, kryedemokrati ka bërë mungesa në daljet e tij publike. Maksimumi i tij ka qenë me postime në platformën X – dikur Twitter apo takime me ndërkombëtarët kryesisht në SHBA.

Një dalje pritej nga të gjithë, më së shumti nga media që kishte akumuluar pyetje në drejtim të tij.

Veçanërisht për një çështje të freskët nga koha dhe të nxehtë nga përmbajtja: arrestimi i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Qëndrimi i Bashës, për bashkëpunëtorin e tij më të madh prej vitesh ishte i përmbajtur. Në rrafshin personal, ndiente “keqardhje”, por në atë profesional – me vlerësim të ftohtë, drejtësia duhet të bëjë punën e saj.

Dhe nga ana tjetër, Partia Demokratike e opozita të ecin përpara.

Por, me një kusht: Pa shkelur mbi të shkuarën, pa e mohuar, ndryshuar, as gjërat e mira as gjërat e këqija.

Jo vetëm kaq. Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend u pyet për një sërë çështjesh, për të cilat dha përgjigje qetësisht.

Një bashkëqeverisje me kryeministrin Edi Rama e përjashtoi kategorikisht, ndërsa për të nxjerrë shqiptarët nga “bataku”, e ka platformën gati.

E dëgjuar nga dikush, që nuk i është regjur veshi me deklarata, premtime, do dukej interesante. Po për shqiptarët?

E zorshme.

Basha si figurë nuk ka tërhequr shumë elektorat. Dhe kjo nuk është e thënë pabaza. Zgjedhjet e kanë treguar. Më parë faji qëndronte mbi “hijen” e Berishës që e ndiqte në vendime. Po sot? Një kryetar i dorëhequr, i rikthyer e me një grusht deputetësh me vete çfarë ju premton demokratëve të paktën?

“Loja” që ka nisur është disi e sigurt. Ai ka zgjedhur të mos sulmojë Berishën, por as ta mbrojë. Për të, ish-kryeministri është e shkuara. E tashmë, duhet parë nga e ardhmja, që sipas tij është Partia Demokratike me Lulzim Bashën në krye.

Ama kjo nuk mjafton. Demokratëve, shqiptarëve nuk ju duhet vetëm një lider me artikulacion të mirë në konferencat e paralajmëruara me mediat. Demokratëve ju duhet një lider me një aftësi të fortë, atë të bashkimit.

Një parti e bërë copash, nuk ka shumë premisa për një bashkim të mundshëm. E një PD e tillë, nëse sot do mbaheshin zgjedhjet do kishte dalë e shpartalluar.

2025 është aq sa larg, edhe afër. Takimet e ngushta, nuk duken të frytshme. Fryma është e ftohtë.

Qëndrojnë dy rrugë – ose dy ide. PD e bashkuar me një figurë si Basha apo një parti e re, por me figura të vjetra.

Alternativa e parë, pak më shpresëdhënëse. Mbase për “hir të bashkimit të demokratëve” ashtu siç bëri Gazment Bardhi me Sali Berishën, mund të ndodhë një “mrekulli” edhe me këto grupimet e tanishme. Se, në politikë kurrë mos thuaj kurrë.

Ndërsa, alternativa e dytë duket si kartë e djegur. E provoi Alibeaj disi, Bardhi disi, e rezultati ishte “katastrofik”.

Partia u nda akoma më shumë.

Në një kohë kur zgjedhjet e përgjithshme janë afër, Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë. Mbase, një alternativë e re.
Kështu, (ri) krijimi i saj duket se është në fillimin e një rruge të gjatë në të cilën pritet të “ndërtohet” drejtuesi i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore