Kosova

“Kryetarët në Veri po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të Udhëzimit Administrativ që mundëson shkarkimin e tyre në Kushtetuese”


Kryetarët e komunave veriore të Kosovës po shqyrtojnë mundësinë për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese Udhëzimin Administrativ, dokument ky i cili ka hapur rrugën e shkarkimit të tyre.

Mundësia në fjalë, sipas portalit serb me seli në Kosovë, Kossev, është diskutuar në takimin që Erden Atiq, Ilir Peci, Izmir Zeqiri e Lulzim Hetemi kanë pasur me zëvendëskryeministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka konfirmuar të premten se në takimin në fjalë është diskutuar çështja e dërgesës së Udhëzimit Administrativ në Kushtetuese për shqyrtim.

“Ne thjesht kemi biseduar, nuk kemi marrë ende një vendim”, ka thënë Zeqiri për Kossev.

Brenda vetëm një dite qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat respektive të tyre.

Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Ilir Peci e Izmir Zeqiri janë vetëm një hap larg shkarkimit nga posti që po mbajnë që nga muaj maj i vitit të kaluar.

Të njëjtit do të vazhdojnë të jenë kryetarë komunash, derisa të përfundojë e gjithë procedura e largimit të tyre përmes peticionit.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës u mbajt në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Pas përfundimit të Peticionit, sipas Udhëzimit Administrativ, procedura duhet të vazhdojë me procedimin e rezultateve në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili do të verifikojë nënshkrimet.

Nëse gjithçka është në rregull atëherë pritet të caktohet datë e zgjedhjeve nga KQZ.

Banorët e këtyre komunave pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të dalin të votojnë për largimin e kryetarëve aktual.

Nëse votojnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, atëherë procesi është i legjitimuar dhe kryetarët duhet të largohen nga pozitat e tyre, duke hapur rrugë një tjetër procesi zgjedhor – atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore