Kryesuesi rus në OKB, Gërvallës: Gjuha shqipe s’është gjuhë zyrtare në OKB, mua më thanë se doje të flisje anglisht

SHFLETO

Vasily Nebenzya

 

Armat Matoshi
27.04.2023 17:20
Loading Icons...

Përfaqësuesi i Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka reaguar pasi kryediplomatja e Kosovësm Donika Gërvalla, në hyrje të fjalës së saj në sesionin e Këshillit të Sigurimit, ka thënë se presidenca ia ka refuzuar kërkesën që të flasë në gjuhën shqipe.

“Unë si kryetar jam informuar se ju keni parapëlqyer të flisni në gjuhën angleze, siç foli paraardhësi i juaj. Nëse do të insistonit të flisnit shqip dhe ka precedent të tillë, është fakt se ata që kanë folur nuk kishin asnjë gjuhë zyrtare të OKB-së, ne prapë do të ju kishim lejuar të bëni këtë”, tha Nebenzya.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë fjalës së saj në seancën e KS-së të OKB-së, njoftoi se edhe pse ka kërkuar që fjalimin e saj ta mbajë në gjuhën amë, i është mohuar për dallim nga kryediplomati serb, Ivica Daçiç, i cili foli në gjuhën e tij.

“Derisa Daçiç foli këtu në gjuhën e shumicës së shtetit të tij në vend të anglishtes, unë po ashtu dua të flas në shqip, gjuhën që flitet në shtetin tim, Kosovën. Fatkeqësisht, presidenti refuzoi kërkesën time”, deklaroi ajo.

Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018. Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.

Në seancën e kryesuar nga Rusia –  më 1 prill Moska mori kryesimin e KS-së të OKB-së – Kosova po përfaqësohet nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa Serbia nga Ivica Daçiç, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë.