Kryespiuni i Ukrainës: Rusia planifikon t’i japë fund luftës deri në vitin 2026

Vitjon Nina
15.09.2024 10:06
Loading Icons...

Sipas shefit të spiunazhit ukrainas, Rusia parashikon që “të gjitha problemet e tyre do të fillojnë në verën e vitit 2025”, pasi faktorët financiarë dhe ekonomikë dhe faktorët socio-politikë do të kombinohen.

Për më tepër, siç vuri në dukje Kyrylo Budanov, problemi i rekrutimit për ushtrinë po bëhet gjithnjë e më i mprehtë në Rusi.

Ndaj, mbi këto premisa të radhitura, ai dhe inteligjenca ukrainase, kanë parashikuar se Moska dhe Vladimir Putin po planifikojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë brenda vitit 2026.

Diçka e tillë do të nënkuptonte se kjo luftë do të kishte një kohëzgjatje tërësore prej katër vitesh. Por, Budanov nuk përmend në çfarë kushtesh kjo luftë mund të mbyllet.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i bëjë me dije aleatëve planet e tija, ku përfshihet përdorimi i armëve me rreze të gjatë veprimi, brenda territorit rus.

Në këmbim megjithatë, për të marrë aprovimin rreth kësaj taktike që kërkohet të përdoret nga Kievi, do të propozojë armëpushim me Rusinë në disa zona të caktuara luftimesh.

Këtë e ka raportuar gazeta gjermane Bild, duke iu referuar takimeve që Zelensky do të ketë me krerë të lartë perëndimorë, përfshi presidentin amerikan Joe Biden.

Ky i fundit ndërkaq mendohet se ka firmosur një alokim shtesë fondesh për muajin shtator, duke e ndihmuar më tej Ukrainën edhe financiarisht, përveçse ushtarakisht.

Në bazë të raportimeve nga britanikja The Guardian, pas takimit që Biden pati me kryeministrin britanik, Keir Starmer, është rënë dakord që të lejohet përdorimi i armëve perëndimore me rreze të gjatë nga Ukraina, për të goditur Rusinë brenda territorit të saj.

Por, kancelari gjerman Olaf Scholz, diçka të tillë e ka mohuar dhe ka thënë se do të ishte e rrezikshme dhe do të nxiste një konflikt të NATO-s me Rusinë nëse ndodh.

Të fundit

Aktuale