Lajme

Kryesia e Kuvendit shqyrton të hënën tërheqjen nga Trusti


Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, të hënën e 30 majit do të mbajë mbledhje nga ora 11:00, ku njëra ndër pikat e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i partë i tërheqjes nga Trusti.

Kështu është bërë e ditur përmes njoftimit të Kryesisë.

“Përgatitjet për seancë plenare të re të radhës: Projektligji nr.08/L-134 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116”, thuhet në njoftimin e Kryesisë.

Ndryshe me pesë vota për, pesë kundër dhe një abstenim, nuk ishte miratuar iniciativa për tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trust-it pensional në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Trusti.

Lëvizja Vetëvendosje u shpreh kundër, po ashtu edhe deputetja Duda Balje nga GP 6+ abstenoi.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë përkrahur plotësim-ndryshimin për projektligjin e Trust-it.

Ky projektligj shkon në Kuvend edhe pa aprovimin e Komisionit.

Avdullah Hoti është shprehur pro nismës.

“Ne e mbështesim plotësisht këtë projektligj”, tha Hoti.

“Ky projektligj do të ndikojë në buxhetin e Qeverisë 13.5 milionë euro kur thuhet në vendimin e Qeverisë kjo është anomali. Nuk ndikohet fare buxheti i Kosovës për këtë tërheqje”, tha Hoti.

Edhe Pal Lekaj nga AAK ka thënë se do të mbështesin iniciativën.

“Duhet të tejkaloni inatet dhe të vendosni në të mirën e qytetarëve. Vota ime dhe e Aleancës është pro duke u bazuar në këtë që e thashë”, tha ai.

Ndërkaq Armend Muja është shprehur rreptësishtë kundër iniciativës.

“Do ta kundërshtoj fuqishëm, jo vetëm këtu por edhe në Kuvend, përpjekjen për ta parandaluar shkatërrimin e Trustit nuk do ta ndalë”, tha Armend Muja.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, përfundoi vizitën e stafit në Kosovë në periudhën 10-13 dhe 20 maj, ku u diskutua mbi zhvillimet, perspektivën dhe politikat e fundit ekonomike.

Ndërsa, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), përmes një komunikate ka dalur kundër iniciativës për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti dhe kthimin e tarifave të rrymës, siç kanë qenë para shtrenjtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore