Lajme

Kryeprokurori i Speciales për Albanian Post: Jemi të gatshëm ta trajtojmë rastin e vrasjes së trefishtë në Deçan


Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se janë të gatshëm ta trajtojnë rastin e vrasjes së trefishtë në Deçan, por sipas për një gjë të tillë vendos Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Po ne jemi të gatshëm ta marrim në trajtim rastin e vrasjes së trefishtë të Deçanit, por kjo s’varet nga ne, për këtë vendos Kryeprokurori i Shtetit”, tha Isufaj për Albanian Post.

Për këtë çështje Albanian Post ka dërguar pyetje më 30 nëntor përmes emalit në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, por nga ky institucion i drejtësisë nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, juristi Arbër Jashari, konsideron se përderisa nuk ka indikacione të ndonjë akti terrorist, ky rast nuk hynë në kompetencën e Prokurorisë Speciale.

“Gjithsesi për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit, nëse Kryeprokurori i Shtetit konsideron se çështja e hetimeve duhet të ngritët në nivel më profesional, atëherë edhe mund t’ia delegoi këtë rast Prokurorisë Speciale”, theksoi Jashari për AP.

“Mendoj që departamentet e krimeve të rënda në Prokuroritë Themelore, janë departamente të specializuara, të cilat kanë profesionalizmin, përvojën dhe resurset e nevojshme, për ta hetuar secilën vrasje. Por, inkorporimi i secilit organ shtetëror, që mund t’i shërbej zbardhjes së këtij rasti, është i mirëseardhur”, ka shtuar ai.

Arbër Jashari, jurist

Ndërkaq të hënën e gjashtë dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sasia e informacioneve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar.

Kjo pasi sipas tij hetuesit më të mirë kosovarë janë përfshirë për të zbardhur rastin në komunën e Deçanit.

“Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do t’iu njoftojmë me kohë”, potencoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Si ndodhi ngjarja?

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 më 26 nëntor nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalë përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Raporti i policisë tregoi se dyshimet e para janë se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, pat treguar për Albanian Post se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.

20 mijë euro shpërblim për atë që jep informacione për autorin e vrasjes në Gllogjan

Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për qytetarët që me informacionet e tyre mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit, thuhet se për identifikimin sa më të shpejt të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

“Apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20 mijë euro për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Në sulmin ndaj autobusit me nxënës, të premten e 26 nëntorit, mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Më 28 nëntor, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, iu është dhënë lamtumira e fundit dy nxënësve dhe shoferit të autobusit që u vranë në sulmin e ditës së premte.

Viktimat e sulmit në fshatin Gllogjan të Deçanit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore