Lajme

Kryeparlamentari Konjufca pret në takim ambasadorin e SHBA-së, Jeff Hovenier


Glauk Konjufca, kryeparlamentar i Kosoves

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier këtë të marte në ora 11:00.

Ky takim i Konjufcës me Hovenier vjen vetëm një ditë pasi ky i fundit është zyrtarizuar si ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Hovenier tha të hënën e 10 janarit se ShBA-të janë në anën e Kosovës.

“Është nderi i jetës sime që të shërbej si ambasador në Kosovë”, deklaroi Hovenier, derisa ka folur në një konferencë për media pasi ka dorëzuar kredencialet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Jam i krenar për rolin që ka luajtur shteti im në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës”, shtoi ai.

Amerikani pohoi se megjithatë, “ka ende punë të pakryera”, porse kjo nuk e dallon Kosovën nga vendet e tjera.

“Jam i nderuar nga kjo mundësi që të jem në Kosovë përfaqësues i presidentit amerikan Joe Biden”.

Jeff Hovenier

Hovenier, shtoi se “e ardhmja e Kosovës varet nga liderët e saj dhe nga njerëzit e saj”, porse “SHBA-të janë miqtë tuaj dhe ne jemi në anën tuaj”.

Para se të merrte fjalën Hovenier, presidentja Osmani theksoi se “në një kohë kaq të rëndësishme për të dyja vendet tona është kënaqësi të mirëpres një ambasador si Hovenier, i cili është shumë i afërt me Kosovën, sepse ka shërbyer më herët në Kosovë dhe i kupton dinamikat këtu”.

Po ashtu diplomati amerikan është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kurti ka potencuar se ambasadori i ri e njeh Kosovën dhe popullin e tij, andaj pret bashkëpunim të ngushtë dhe thellim të aleancës me ShBA-në.

“Andaj në javët, muajt dhe vitet në vijim pres të kemi bashkëpunim të ngushtë për marrëdhënien sa më të mira ndërmjet Kosovë dhe SHBA-së në mënyrë që të zgjerojmë dhe të thellojmë aleancën tonë e cila është në shumë fusha prej demokracisë, sundimin të ligjit, qeverisjes së mirë, investime ekonomi dhe deri te mbrojtja dhe siguria, paqes dhe stabilitetit afatgjatë”, tha Kurti.

Ndërsa, ambasadori Hovenier, pohoi pritjet e tij për thellim të bashkëpunimit me këtë vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore