Lajme

Kryeministri ua kujton “Luftën e Maksimirit” tifozëve të “Crvena Zvezda” – Çka ndodhi më 13 maj 1990?


Zvonimir "Zvone" Boban

Është argumentuar se tifozët e futbollit theksojnë kontrollin territorial, pushtimin dhe mbrojtjen, ndërsa shpesh përdorin edhe gjuhën militariste. Përveç kësaj, futbolli mund të shndërrohet në metaforë për luftën – veçse pa të shtëna armësh. E shembullin më të mirë e japin grupet e huliganëve serbë, të cilët përveç se kanë shkaktuar trazira në të kaluarën, praktikën e njëjtë po e vazhdojnë edhe sot.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter” të enjten, ka komentuar koreografinë nacionaliste dhe luftënxitëse të tifozëve të klubit futbollistik serb “Crvena Zvezda (Ylli i Kuq)” të shfaqur një ditë më parë në Beograd, duke ua kujtuar atyre edhe katalizatorin e luftërave në ish-Jugosllavi para më shumë se tridhjetë vjetëve.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se “thirrjet për dhunë janë të pandërprera” që prej 13 majit të vitit 1990 – atëherë kur tifozët serbë të “Crvena Zvezda”, rreth 3000 mijë prej tyre, nën drejtimin e kriminelit të paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), Zheljko “Arkan” Raznatoviç, shkaktuan trazira në Kroaci.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga ICTY, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, shkroi kryeministri Kurti.

Tifozët e “Crvena Zvezda”, para fillimit të ndeshjes miqësore ndaj ekipit italian “Fiorentina” të mërkurën, kanë shfaqur imazhin e një automjeti ushtarak me simbole serbe e ku shkruhej: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” – një tullë tjetër në muret e etno-nacionalizmit të vjetër ballkanik.

Koreografia e Crvena Zvezda/26 korrik 2023

Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, etno-nacionalizmi u bë ideologjia dominuese e grupeve të ndryshme të tifozëve, vecanërisht të atyre serbë dhe kroatë. Ndeshja e 13 majit të vitit 1990 midis klubit futbollistik “Crvena Zvezda” të Serbisë dhe “Dinamo Zagreb” të Kroacisë qëndron si përmendore ndarjesh etnike dhe gjenocidesh, ndonëse s’u zhvillua kurrë.

Në histori njihet si një nga ngjarjet që shënuan dhe simbolizuan fillimin e fundit të Jugosllavisë së Josip Broz Titos. Për shumë futbollistë dhe qytetarë, kjo ngjarje ishte shkëndija që ia vuri flakën tërë rajonit. Ngjarjet e 13 majit, jo vetëm që ishin konsideruar si shenjë paralajmëruese e asaj që do të pasonte në këtë rajon, por në fakt edhe si fillimi simbolik i luftës.

Pjesë e ekipit të “Dinamo Zagreb” atëbotë ishte edhe legjenda e futbollit të Kosovës, Kujtim Shala – kosovari i parë që iu përgjigj pozitivisht Kombëtares së Kroacisë, para shpërbërjes së ish-Jugosllavisë – porse nuk ishte pjesë e ekipit kroat më 13 maj 1990 për shkak të një dënimi të marrë paraprakisht.

“Ajo ndeshje që nuk u luajt asnjëherë ishte fillimi i fundit të Jugosllavisë. Është historike pasi ‘Delije’, të ndihmuar edhe nga policia, morën pjesë në shkeljen e krenarisë kroate. Sinqerisht, edhe para hyrjes në stadium kam ndier që ajo ndeshje nuk do të luhet, pasi trazirat kanë nisur shumë më herët dhe është ndier tensioni”, ka rrëfyer Shala vite më parë.

Lufta e njëmendtë natyrisht se nuk filloi në stadiumin “Maksimir” në Zagreb, por epilogu i kësaj loje të pafund futbollistike ka qenë një përplasje masive midis tifozëve serbë “Delije” dhe atyre kroatë “Bad Blue Boys”. Futbolli – falë shprehjes “Lufta filloi në Maksimir” – lexohej si një faktor i pashmangshëm në shpjegimet e krizave jugosllave.

Sekuencat televizive të legjendës kroate, Zvonimir Boban, duke shkelmuar një oficer policie, nuk mund të fshihen e as të harrohen. Bobani mund të jetë i vetmi lojtar i futbollit që ka nxitur ndonjëherë fillimin e një lufte, ndërsa shpejt u bë simbol i heroizmit dhe etno-nacionalizmit kroat.

Në luftën e vërtetë dhe të përgjakshme që pasoi, tifozët e futbollit mund të gjendeshin lehtësisht në vijën e parë të frontit. Ata ishin disa nga vullnetarët e parë që ishin regjistruar për të “mbrojtur” vendin dhe popullin e tyre, të armatosur me flamuj dhe simbole të klubeve futbollistike.

Trazirat më të dhunshme në historinë e futbollit rezultuan me plagosjen e rreth 80 policëve dhe 60 tifozëve. Kur shpërtheu lufta, shumë nga tifozët e “Delije” ishin bashkuar me “Tigrat e Arkanit”, të cilët përhapën frikë gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990-1999.

Ushtria paraushtarake e Arkanit ishte përgjegjëse për krime lufte në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë gjatë luftërave jugosllave. Shumë nga anëtarët e “Delije” që humbën jetën gjatë luftërave jugosllave përkujtohen si “heronj kombëtarë” edhe sot e kësaj dite në Serbi, kurse të gjallët lëvizin lirshëm nëpër rrugët e Beogradit.

Ndërkaq, një statujë e një grupi ushtarësh kroatë është ngritur përpara terrenit të “Dinamo Zagreb”, me një tekst në të cilin shkruhet: “Tifozëve të këtij klubi, të cilët filluan luftën me Serbinë në këtë terren më 13 maj 1990”.

Në ish-Jugosllavi, kurse tash në Serbinë e Aleksandër Vuçiçit, bëhet e qartë se tifozët e futbollit nuk janë të interesuar vetëm për “lojën e bukur”. Stadiumet e futbollit – aty ku zhduket hapësira ndërmjet reales dhe imagjinares – janë vende ku huliganët serbë mund të shprehin lirshëm ndjenjat e tyre etno-nacionaliste e armiqësore me përkrahje të madhe nga shteti.

Stadiumet në Serbi ende shpërbejnë si arenë politike dhe vende ideale për shpalljen e propagandës e cila përfundoi në një shkallë të paparë të dhunës midis mbështetësve të etno-nacionalizmit viteve të 90-ta, të cilët edhe mund të bëhen sërish ushtarë e të kryjnë krime nëse iu rastisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore