Lajme

Kryeministri slloven: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është vendimtar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor


Robert Golob

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”, tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kyçe për stabilitetin e rajonit, ndërsa shprehu optimizmin se zgjidhja mund të arrihen në muajin e ardhshëm.

“Unë mendoj se kjo çështje është vendimtare për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Besoj se fokusi i bashkësisë ndërkombëtare është në zgjidhjen e këtij problemi. Jam optimist sepse është bërë progres në javët e kaluara”, ka thënë Golob.

Kryeministri slloven, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndër të tjera shtoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ndikojë drejtpërdrejtë në stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës.

“Besoj se në muajin e ardhshëm mund të ketë zgjidhje vendimtare në këtë fushë. E di që kjo do të ndikojë edhe në stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës, kështu që mezi pres përparim në situatën ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, nënvizoi ai.

Golob tha se qeveria sllovene do të angazhohet shumë më tepër për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën, në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në një konferencë për media të hënën, ai nënvizoi se Sllovenia dëshiron të jetë “aleati më i madh” i Bosnjë-Hercegovinës në rrugën evropiane, kështu që do t’i ofrojë të gjithë ndihmën teknike, nga administrative dhe profesionale te ajo financiare.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të përfaqësuesve evropiano-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Emisari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave takoi kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Ndërkaq, edhe emisari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të qëndrojë në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave për të mbështetur procesin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore