Lajme

Kryeministri slloven: Nëse BE ka qëndrim të unifikuar për sanksione ndaj Serbisë do t’i bashkohemi


Robert Golob

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, në fjalën e tij para fillimit të samitit të Komunitetit Politik Evropian, që është duke u mbajtur në Granada të Spanjës, duke folur për masat e mundshme ndaj Serbisë pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ka thënë se sanksionet nuk çojnë në zgjidhje të përhershme, duke shtuar se nëse ka një qëndrim të Bashkimit Evropian për këtë çështje, atëherë vendi që ai e udhëheqë do ta mbështesë.

“Unë nuk besoj se sanksionet në vetvete mund të çojnë në një zgjidhje të përhershme. Nëse është e nevojshme dhe nëse ka një qëndrim të unifikuar, Sllovenia do të bashkohet. Por, ky nuk është domosdoshmërisht hapi i parë dhe i vetëm”, ka thënë Golob.

Kreu i ekzekutivit slloven theksoi se ngjarjet e fundit në Veri të Kosovës, ku si pasojë u vra një polic, tanimë heroi Afrim Bunjaku, “janë të dënueshme”.

“Është e drejtë që komuniteti ndërkombëtar të dënojë individët që inkurajuan përshkallëzimin. Sllovenia gjithashtu dënon ashpër individët që morën pjesë në këtë ose e drejtuan këtë proces”, pohoi.

Sipas Golob, ulja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet me organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat Veriore – Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok – të banuar me shumicë serbe, teksa bëri thirrje që të gjithë, posaçërisht serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore