Lajme

Kryeministri sllovak Fico del nga spitali, thonë mediat


Kryeministri sllovak Robert Fico u lejua të dalë nga spitali në qytetin qendror të Banska Bystrica, ku u kurua pas një atentati, dhe u dërgua në banesën e tij në Bratislavë të enjten, njoftuan mediat sllovake.

Spitali dhe zyra e qeverisë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment, njofton agjencia e lajmeve Reuters.

Spitali tha më herët të enjten se Fico iu nënshtrua ekzaminimeve të mëtejshme, të cilat konfirmuan zhvillimin pozitiv të gjendjes së tij shëndetësore dhe se ai kishte filluar rehabilitimin.

Një burrë goditi Ficon me katër plumba në distancë të shkurtër kur kryeministri po përshëndeste mbështetësit në një mbledhje të qeverisë në qytetin qendror sllovak Handlova më 15 maj.

Fico, 59 vjeç, u godit në bark dhe u dërgua në një spital në Banska Bystrica në gjendje të rëndë.

Ai iu nënshtrua menjëherë një operacioni prej më shumë se pesë orë dhe një të dyti dy ditë më vonë.

Sulmuesi, i identifikuar si 71-vjeçari Juraj C. u ndalua në vend dhe u akuzua për vrasje të mbetur në tentativë me paramendim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore