Kosova

Kryeministri Kurti të premten raporton në Kuvend për dialogun Kosovë-Serbi


Për zhvillimet në bisedime në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Kurti do të raportoj në Kuvendin e Kosovës më 11 Qershor.

Këtë e ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas Mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit e cila u mbajt këtë të martë.

“U diskutua edhe kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për raportim para deputetëve të Kuvendit në raport me zhvillimet që lidhen me dialogun Kosovë-Serbi”.

“Me miratimin e kryesisë u vendos që raportimi i kryeministrit Albin Kurti të ndodhë si pikë e katërt e rendit të ditës në seancën e rregullt plenare më 11 qershor, ditën e premte. Gjithashtu, Kuvendi vazhdon punimet ditën e hënë me debatin parlamentar të kërkuar nga Grupi Parlamentar të PDK-së për gjendjen ekonomike dhe efektet e pandemisë në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila para mediave.

Kurse Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes, para gazetarëve ka thënë se pas shumë kërkesave të partive opozitare kryeministri më në fund ka pranuar të raportojë në Kuvend.

“Kemi parë një lëvizje jashtëzakonisht të madhe të qëndrimeve të kryeministrit Albin Kurti”.

Tahiri ka shtuar se çështja e Asociacionit nuk duhet të jetë pikë e rendit të ditës në dialog pasi që për të tashmë ka një vlerësim nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse vendoset Asociacioni si pikë e diskutimit në dialog, atëherë kërkohet të ndryshohet kushtetuta, gjë që ne nuk do ta lejojmë një gjë e tillë të ndodh”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se deri më tani nuk e kemi pa një përgatitje të Qeverisë sa i përket dialogut por se ky debat do të jetë shumë i rëndësishëm.

“Ne e kemi pa një pa përgatitje tash e tre muaj sa i përket çështjes së dialogut”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore