Kosova

Kryeministri i Irlandës në Kosovë, takon Kurtin dhe Osmanin


Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar.

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, do të qëndrojë këtë të enjte për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të takohet me krerët e institucioneve kosovare.

Varadkar, i cili mbërriti në Kosovë të mërkurën, do të takohet fillimisht me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të mbajë një konferencë për media, dhe më pas me presidenten Vjosa Osmani.

Kurti do ta mirëpres homologun e tij irlandez me ceremoni shtetërore në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 09:30, derisa konferenca e përbashkët për media pritet të mbahet nga ora 10:30.

Ndërsa, duke filluar nga ora 11:00, Kryeministri i Irlandës do t’i shkojë për ta takuar në zyrën e saj presidenten Osmani.

Me të arritur në aeroportin e Prishtinës, në orët e mbrëmjes të së mërkurës, Varadkar u prit nga homologu i tij kosovar.

Albin Kurti dhe Leo Varadkar

Madje, ky i fundit nxitoi duke thënë se kjo është vizita e parë e ndonjë kryeministri irlandez në vend, mirëpo një pohim i tillë nga ana e shefit të qeverisë doli i pavërtetë.

Varadkar nuk është kryeministri i parë i Irlandës që viziton Kosovën, ashtu siç tha Kurti.

I pari shef i ekzekutivit irlandez që kishte vizituar Kosovën kishte qenë Brian Cowen – i cili ka shërbyer si Kryeministër i Irlandës në periudhën kohore 2008-2011.

Cowen e kishte vizituar Kosovën në vitin kur kjo e fundit kishte shpallur pavarësinë, pra më 2008.

Ai kishte mbajtur edhe një konferencë për media së bashku me Kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu.

Brian Cowen në Kosovë me Hashim Thaçin dhe Fatmir Sejdiun

Varadkar, së bashku me një delegacion shoqërues do të qëndrojë për një vizitë një ditore në Kosovë.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për vizitën e Varadkar, ku ka bërë me dije se për shkak të sigurisë së tij do të bëhet ndërprerje e përkohshme e qarkullimit të trafikut.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”.

“Andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, ka thënë policia.

Policia e Kosovës, ka thënë se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore