Shëndet

Kryeministri francez: Omicron po përhapet me shpejtësi rrufeje


Në të gjithë kontinentin, zyrtarët shëndetësorë po përgatiten për një valë infeksionesh.

Kryeministri francez, Jean Castex, ka thënë se varianti i ri, Omicron i Coronavirusit po “ përhapet me një shpejtësi si rrufe” në Evropë dhe ka gjasa të bëhet dominues në Francë nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Ai të premten është shprehur se Franca do të vendosë kufizime të rrepta udhëtimi për ata që hynin nga Mbretëria e Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka qenë më e goditura pas Afrikës, me afro 15 raste të konfirmuara të Omicron vetëm të premten.

Në të gjithë kontinentin, zyrtarët shëndetësorë po përgatiten për një valë infeksionesh.

Kufizime shtesë u njoftuan edhe në Gjermani, Republikën e Irlandës dhe Holandën, ndërsa qeveritë kërkojnë të frenojnë valën.

Evropa ka parë tashmë më shumë se 89 milionë raste dhe 1.5 milionë vdekje të lidhura me Covid-in, sipas shifrave të fundit të BE-së.

Por, Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Karl Lauterbach, në një konferencë për media tha se vendi “duhet të përgatitet për një sfidë që nuk e kemi pasur ende në këtë formë”, ndërsa agjencia e shëndetit publik caktoi Francën, Norvegjinë dhe Danimarkën si “rrezik të lartë” për shkak të rritjes së infeksioneve në ato vende.

Vetë Gjermania raportoi më shumë se 42 mijë raste të shtunën, nga 50 mijë infeksione të reja të regjistruara.

Në Irlandë, ku një e treta e rasteve të reja kanë qenë për shkak të variantit të ri, Taoiseach Micheal Martin tha se ata prisnin “të shihnin infeksione në një shkallë që është shumë më e madhe se çdo gjë që kemi parë deri më sot”.

Paralajmërimet erdhën pasi Mbretëria e Bashkuar raportoi një numër rekord të infeksioneve Covid për të tretën ditë me radhë – më shumë se 93 mijë raste – kryesisht të prekur nga Omicron.

Franca mbylli kufijtë e saj për njerëzit që udhëtonin nga Mbretëria e Bashkuar për biznes ose turizëm në orën 11 të darkës, duke krijuar kështu radhë të mëdha që u formuan në terminalet e Portit të Dover dhe Eurostar ndërsa njerëzit u përpoqën të hynin përpara se ndalimi të hynte në fuqi.

Radhë të gjata automjetesh në Portin e Doverit të premten.

Por, nuk është i vetmi vend që forcon kontrollet. Në fillim të kësaj jave, Italia, Greqia dhe Portugalia njoftuan se vizitorët nga Bashkimi Evropian do të duhet të paraqesin një rezultat negativ të testit pas mbërritjes – edhe ata që janë vaksinuar.

Duke folur disa orë para hyrjes së rregullave të reja, Castex tha se kufizimet e udhëtimit ishin pjesë e një sërë masash që po merren për të frenuar valën e infeksioneve.

Ato përfshijnë shkurtimin e hendekut midis dozës së dytë dhe të tretë të vaksinës dhe kërkesën për një vaksinim të plotë për të hyrë në restorante dhe transport publik në distanca të gjata.

Për më tepër, të gjitha festimet zyrtare të Vitit të Ri dhe shfaqjet e fishekzjarrëve janë anuluar.

Castex tha gjithashtu se qeveria do të shpallë hapa të rinj për të trajtuar hezitimin e vaksinave vitin e ardhshëm, duke thënë se “nuk është e pranueshme që refuzimi i disa milionë francezëve për t’u vaksinuar të vë në rrezik jetën e një vendi të tërë”.

Ndërkohë, në Holandë, ekspertët holandezë të shëndetit kanë thënë se vendi duhet të kalojë në një bllokim “të rreptë”, kanë raportuar mediat lokale.

Kryeministri Mark Rutte ka thënë se Omicron mund të jetë lloji dominues i vendit deri në janar, ngjashëm me Francën.

Që nga fundi i nëntorit, baret, restorantet dhe shumica e dyqaneve janë urdhëruar të mbyllen midis orës 17:00 dhe 05:00 me kohën lokale. Kjo masë ishte menduar të përfundonte para Krishtlindjeve, por tani do të vazhdojë deri më 14 janar.

Holanda regjistroi më shumë se 15 mijë e 400 infeksione të prmten – më pak se ditët e mëparshme, por shumë më e lartë në përgjithësi se çdo herë tjetër gjatë pandemisë.

Ndërsa sistemi holandez i kujdesit shëndetësor merret me një fluks pacientësh Covid, kujdesi rutinë dhe të gjitha operacionet përveç urgjente janë shtyrë.

Industria e hotelerisë në Republikën e Irlandës ka thënë se do të shkatërrohet nga rregullat e reja që nga e hëna që nënkuptojnë se baret, restorantet, teatrot dhe kinematë duhet të mbyllen çdo natë deri në orën 20:00 me kohën lokale.

Masa është kritikuar gjithashtu nga disa politikanë nga koalicioni qeverisës i Irlandës, të cilët thanë se rregullat e reja do të inkurajonin më shumë grumbullime në shtëpitë e njerëzve.

Vendet sportive do të duhet të funksionojnë me kapacitet 50 përqind. Festimet e dasmave do të lejohen të zgjasin deri në mesnatë – me maksimum 100 të ftuar.

Tashmë ekziston një kufi prej katër familjesh që lejohen të shoqërohen së bashku brenda një shtëpie.

Zëvendëskryeministri irlandez, Leo Varadkar tha se qeveria do të shpallë masa financiare të hënën për të mbështetur bizneset e prekura nga rregullat e reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore