Lajme

Kryeministri australian mbron strategjinë e karantinimit


“Australia do t’i përmbahet strategjisë së saj të bllokimit të vendit kundër coronavirusit, derisa të paktën 70% e popullsisë së saj të jetë plotësisht e vaksinuar. Por, pas kësaj, do të duhet të fillojë të jetojë me virusin”.

Kështu është shprehur të dielën e 22 gushtit kryeministri Scott Morrison.

Në vend u shënua një rekord me 914 infeksione, shifra më e lartë ditore, pasi shtetet jugore dhe lindore, si: New South Wales, Victoria dhe kryeqyteti mbeten nën një bllokim të rreptë.

Vendosja e karantinës për këto vende është një element kyç i strategjisë së qeverisë federale për të frenuar shpërthimet, derisa të arrihet niveli prej 70% i vaksinimeve, me kufijtë që do hapen gradualisht kur shifra të shkojë në 80%.

Morrison bëri me dije se është e pamundur që Australia të arrijë zero raste.

“Bllokimet nuk janë një mënyrë e qëndrueshme për t’u marrë me virusin. Kjo është arsyeja pse ne duhet të arrijmë në notat 70% dhe 80%, kështu që mund të fillojmë të jetojmë me virusin”, shtoi ai.

Rreth 60% e popullsisë prej 25 milionësh tani është karantinuar.

Policia në shtetin më të populluar, në New South Wales njoftoi se ka vendosur 940 gjoba në 24 orët e fundit për shkelje të urdhrave të shëndetit publik, ndërsa media tha se disa qindra njerëz u mblodhën

Protestuesit kundër bllokimit u përplasën dhunshëm me policinë, ndërsa mijëra njerëz marshuan nëpër rrugët e Melbourne të shtunën e 21 gushtit.

Policia e Viktorias tha se kishte bërë 218 arrestime dhe se gjashtë oficerë u shtruan në spital nga lëndimet në përleshje.

Policia tha në një deklaratë se shumica e rreth 4 mijë demonstruesve “erdhën me dhunën në mendje”.

Pamjet e postuara në mediat sociale treguan protestues që brohorisnin, hidhnin objekte ndaj oficerëve të policisë dhe lëshonin flakët.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore